Turqia me satelitët e rinj të komunikimit do të jetë më e fuqishme në hapësirë

Mos i humb

Me satelitët e rinj të komunikimit, Turksat 5A, 5B dhe 6A, Turqia do të jetë më e fuqishme në hapësirë, tha sot ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Turksat 5A do të lansohet këtë muaj, kurse 5B në tremujorin e dytë të vitin 2021, njoftoi Karaismailoğlu gjatë Konferencës së 13-të Ndërkombëtare mbi Sigurinë e Informacionit dhe Kriptologjinë, të organizuar në mënyrë virtuale.

Ministri tha se Turqia synon të bëhet një superfuqi logjistike në rajonin e saj, për të krijuar një rrjet të qëndrueshëm të të dhënave dhe për të siguruar dixhitalizimin në të gjitha fushat.

Strategjitë e ministrisë për periudhën 2020-2023 janë zhvillimi i ekonomisë së vendit, mbrojtja e jetës shoqërore, ofrimi i sigurisë kombëtare dhe shndërrimi në një brend ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike, theksoi ai.

Karaismailoğlu tha se Turqia do të forcojë sistemet kritike të infrastrukturës, do të zhvillojë aftësinë kombëtare, do të krijojë një rrjet të sigurisë kibernetike, do të sigurojë sigurinë e teknologjive të reja, do të luftojë kundër krimeve kibernetike, do të zhvillojë teknologji autoktone dhe do të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në të njëjtën periudhë.

Si një vend i fuqishëm, Turqia është e gatshme të arrijë shpejtësinë e transformimit dixhital në botë. Transferimi i shëndetshëm dhe i sigurt i të dhënave është themeli i një ekonomie të fortë, shtoi ai.

Teknologjia ndryshon çdo fushë

Ali Taha Koc, kreu i Zyrës së Transformimit Dixhital të Turqisë tha se informacioni është një element i fuqisë dhe dominimit që nga fillimi i jetës.

“Me zhvillimin e shpejtë në internet dhe pajisjet mobile, prodhimi i të dhënave është rritur edhe më shumë”, vuri në dukje ai, duke nënvizuar se sasia e të dhënave, e gjeneruar në dy vitet e fundit, ishte më e madhe se të dhënat totale të gjeneruar që nga fillimi i jetës.

Ai theksoi se teknologjia ndryshoi çdo fushë të jetës, përfshirë modelet e biznesit, zakonet e blerjeve dhe edukimin.

“Në të ardhmen e afërt, midis 2021 dhe 2025, telefonat e mençur standardë do të jenë në gjendje të komunikojnë pa nevojën e pajisjeve shtesë duke u lidhur me satelitët e komunikimit me orbitë të ulët përmes stacioneve bazë 5G”, shtoi ai.

Omer Abdullah Karagozoglu, kryetari i Autoritetit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë tha se pandemia tregoi rëndësinë e teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

“Ndërsa distancat fizike u rritën, ne ishim të lidhur me njëri-tjetrin përmes teknologjisë”, theksoi ai dhe shtoi se si njerëzit vazhduan arsimin, takimet dhe marrëdhëniet shoqërore në distancë gjatë periudhës pandemike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit