Turqia thirrje në KS-OKB për armëpushim në Idlib

Mos i humb

Përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Feridun Sinirlioglu, bëri thirrje në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për armëpushim dhe që t’i jepen fund të gjitha operacioneve ushtarake në Idlib të Sirisë.

Në KS-OKB që u mblodh me kërkesën e Rusisë, Sinirlioglu, ka informuar vendet anëtare rreth rezultateve të samitit të zhvilluar në Teheran nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hasan Ruhani.

Ambasadori Sinirlioğlu, ka vënë në dukje se bisedimet në Astana janë zhvilluar për të pakësuar dhunën dhe për të përshpejtuar procesin politik në Siri, dhe se në samitin e mbajtur në Teheran në fokus ka qenë çështja e Idlibit.

Pasi ka rikujtuar se presidenti Erdogan në Teheran ka bërë thirrje për armëpushim, Sinirlioğlu, ka ripërsëritur thirrjen për armëpushim dhe që t’i jepen fund të gjitha operacioneve ushtarake në Idlib të Sirisë.

“Thirrja jonë për armëpushim përfshin të gjitha operacionet ushtarake dhe Turqia do të vazhdojë punimet në këtë drejtim. Gjithashtu edhe komunitetin ndërkombëtar e ftojmë që të mbështesë fuqimisht dhe në mënyrë aktive përpjekjet tona”, tha përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB.

Ndër të tjera Sinirlioğlu ka shtuar se “Operacionet ushtarake në Idlib sigurisht çojnë në një fatkeqësi njerëzore, shkaktojnë fluksin e refugjatëve, dhe krijojnë rreziqe të jashtëzakonshme të sigurisë për Turqinë, Europën dhe më gjerë”.

Duke vënë theksin se Turqia është vendi që ka pritur më shumë refugjatë në botë me 3.5 milionë, Sinirlioğlu bëri të ditur se “duhet të theksojmë edhe se që prej një kohe të gjatë kemi arritur në kufirin më të lartë të kapaciteteve tona”.

Nuk duhet të lejohet që të rrezikohet jeta e miliona njerëzve të pafajshëm në Idlib, tha Sinirlioğlu, duke shtuar se “Kjo është një detyrë e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar. Sot ata që na ndjekin në Idlib me shqetësim nuk janë terroristë, por 3.5 milionë civilë dhe 1 milion prej tyre janë fëmijë. Nuk duhet t’i zhgënjejmë ato”./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit