Ukraina refuzon propozimet e Kinës, Rusia i mirëpret

Mos i humb

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s dhe analistët për Kinën reaguan me skepticizëm dje ndaj dokumentit të shumëpritur të pozicionit të Pekinit për luftën ruso-ukrainase, megjithëse Moska i mirëpriti propozimet.

Dokumenti prej 12 pikash bëri thirrje për një armëpushim midis dy palëve.

Kina tha se konflikti dhe lufta “nuk i sjellin dobi askujt” dhe se të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë racionalë “dhe të parandalojnë që kriza të përkeqësohet më tej apo edhe të dalë jashtë kontrollit”.

Ukraina e hodhi poshtë planin duke thënë se nuk do të bënte asgjë përveç ngrirjes së status quo-së.

“Çdo plan paqeje që parashikon vetëm një armëpushim dhe, si rezultat, një vijë e re ndarëse dhe pushtimi i territoreve nuk ka të bëjë me paqen”, shkroi dje në Twitter këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak.

”Është, më tepër, një ngrirje e luftës”, shkroi ai.

Ukraina vazhdon të insistojë në tërheqjen e trupave ruse dhe bën thirrje që kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991 të pranohen.

Të tjerë, përfshirë diplomatë dhe ekspertë, reaguan me zhgënjim, pasi dokumenti 12-pikësh nuk zbuloi ndonjë nismë të re.

Gjithashtu u theksua se Kina nuk është neutrale dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë deri më sot.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të një gazetari se pse Kina nuk i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

Ai tha se Kina mund të luante “një rol konstruktiv”, por nuk kishte mundësinë që Pekini të ndërmjetësonte konfliktin.

Më vonë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KSB), përfaqësuesi i Kinës në OKB, Dai Bing i bëri sërish thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të rifillojnë negociatat “pa parakushte”.

“Ukraina nuk është një arenë për të luftuar midis vendeve të mëdha. Askush nuk duhet të përfitojë nga konflikti në kurriz të popullit të Ukrainës”, tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretari i sërgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, reaguan me kujdes ndaj planit kinez.

Von der Leyen tha në Talin se plani duhej kuptuar në kontekstin se Kina tashmë kishte marrë anë.

”Kina dhe Rusia e kishin siguruar njëra-tjetrën për lidhjet e tyre të ngushta pak para fillimit të luftës”, tha ajo.

Stoltenberg komentoi se Kina nuk kishte shumë besueshmëri kur bëhej fjalë për përpjekje të tilla ndërmjetësimi, sepse ajo ende nuk e kishte dënuar zyrtarisht pushtimin rus.

I dërguari i BE për çështjet e jashtme Josep Borrell tha se propozimi kinez “nuk është një plan paqeje. Është një dokument pozicioni ku Kina ka bashkuar të gjitha pozicionet e saj”.

Borrell tha se kishte vëzhgime interesante në plan dhe i kërkoi Kinës të bisedonte me Ukrainën për qëllimin e saj.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Rusisë vlerësoi iniciativën e Pekinit dhe përsëriti qëndrimin e Moskës.

“Ne mirëpresim dëshirën e sinqertë të miqve tanë kinezë për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë me mjete paqësore”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.

“Ne ndajmë konsideratat e Pekinit”, shtoi ajo.

”Rusia është e hapur për një zgjidhje politiko-diplomatike të krizës së Ukrainës”, tha ajo duke shtuar se parakushti ishte përfundimi i dërgesave perëndimore të armëve në Ukrainë, ndërprerja e të gjitha armiqësive dhe kthimi i Ukrainës në një status neutral dhe të paangazhuar.

Ajo kërkoi gjithashtu njohjen e “realiteteve të reja territoriale” që do të thotë territoret ukrainase të aneksuara nga Moska, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Zakharova përsëriti gjithashtu qëllimin fillestar të deklaruar të Moskës gjatë luftës: “çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës”.

Ligjvënësi rus dhe eksperti i politikës së jashtme, Leonid Slutski e quajti planin “të balancuar”, në një postim në Telegram.

”Të paktën ishte më e balancuar se një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Rezoluta bënte thirrje për një tërheqje të plotë të trupave ruse, e cila do të ishte një kapitullim”, tha Slutsky.

Ekspertët e politikës së Kinës e panë planin më shumë si një përpjekje të vendit të tyre për të riparuar imazhin e prishur në botë, që rrjedh nga mbështetja për Rusinë.

”Nuk ka asgjë të re në plan”, tha eksperti i Kinës, Manoj Kewalramani i Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare (CSIS).

“Ky plan është pothuajse asgjë. Plani është në thelb një përmbledhje e 12 pikave, të cilat kanë qenë pjesë e qëndrimeve publike të Pekinit për luftën”, tha ai.

“Askush që e lexon këtë nuk mund të thotë se Kina është ndërmjetëse neutrale”, theksoi Kewalramani.

“Dokumenti sugjeron se Pekini do të preferonte që bisedimet e paqes të ishin për një arkitekturë të re evropiane të sigurisë sesa për vetë luftën”, shtoi ai.

Plani bën thirrje për një rifillim të menjëhershëm të bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ai kërkon gjithashtu që termocentralet bërthamore duhet të mbahen të sigurta dhe kërcënimi ose përdorimi i armëve bërthamore duhet të kundërshtohet.

Plani gjithashtu përsërit kundërshtimin e Kinës ndaj sanksioneve të njëanshme kundër Rusisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit