Veliaj: Kthyem një “minifshat” në një nga lagjet më të mira të Tiranës

Mos i humb

Bashkia e Tiranes ka përfunduar rehabilitimin e një blloku banimi në njësinë 3 në një sipërfaqe prej 1.6 hektarësh duke e transformuar atë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ndryshimi në zonë është i dukshëm.

“Mbaj mend kur kemi qenë këtu, meraku i njerëzve ishte se jetonin në Tiranë, por nuk u dukej si Tiranë. Kishin lënë fshatin e tyre në Kolonjë, në Devoll ose fshatrat e largët të Korçës, dhe ishin kthyer në një minifshat që vetëm si lokacion ishte në Tiranë, kurse ujërat e zeza derdheshin në Lanë dhe ujin e mbushnin me kova. Për ndriçim nuk bëhej fjalë fare, ndërkohë sot kemi kaluar në ndriçim LED. Në fakt, është punuar më shumë nën tokë se mbi tokë. Ne shohim asfaltin dhe muret dekorative që i kanë kthyer nga shtëpi në proces legalizimi, në vila të legalizuara dhe të hipotekuara”, u shpreh Veliaj.

Veliaj duke iu rikthyer zgjedhjeve të zhvilluara në 30 qershor, tha se bashkia ka qenë e fokusuar te puna pavarësisht faktit se kishte votime, apo kishte përpjekje nga politika për të penguar punimet.

“Kemi treguar se vetëm kur fokusohemi te puna dhe problemet konkrete mund të kemi rezultat. Kemi sot përpjekje me protesta, me sherre, me grindje, me pengesa, të një pjese të politikës që mundohet të na fokusojë te problemet e tyre dhe te hallet që ata kanë. Ndërkohë, fokusi duhet të jenë te hallet, te problemet, që kanë njerëzit, te zgjidhjet që kërkojnë ata. Për të gjitha këto arsye, jam shumë krenar për të gjithë skuadrën që ka punuar e rehabilituar një bllok jashtëzakonisht problematik të Njësisë”, u shpreh kryebashkiaku.

Sipas Veliaj për përfundimin e projekteve të nisura do shfrytëzohet periudha e verës, kur në Tiranë ka më pak trafik për shkak se njerëzit janë me pushime.

Ai u ndal edhe te përgatitjet për sezonin e ri të çerdheve dhe kopshteve.

“Dua të nisim përgatitjet për regjistrimet në kopshte dhe çerdhe. Kemi një kërkesë të jashtëzakonshme, por do të duhet të gjejmë balancën mes atyre që janë banorë dhe iu takon, por edhe atyre që janë në gjendje të ngushtë ekonomike që kërkojnë pak ndihmë apo ata që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian ose nga familje që kanë fëmijë me aftësi speciale që duan një vëmendje të veçantë”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit