
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi sot se të enjten do të votohet për themelimin e Komisionit Shtetëror që do të punojë në dokumentimin e gjenocidit në Kosovë dhe të bartë nismën për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë që ka për qellim faktimin e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë.
”Ashtu siç kam paralajmëruar, sot para Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kam paraqitur propozimin që këtë të enjte të mbahet seancë parlamentare për themelimin e një Komisioni Shtetëror i cili do ta ketë si mision konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha ai.
Veseli po ashtu ka thënë se ish-Tjegullorja në Prishtinë do jetë një nga lokacionet e mundshme për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit në Kosovë. Ai tha se do të ndërtohet edhe një Memorial për viktimat e luftës në Kosovës.
Përpos këtyre, ai përmendi edhe ndërtimin e një Muzeu në Stacionin e Trenit në Prishtinë, përmes së cilit do të përkujtohet përndjekja e rreth 1 milionë shqiptarëve nga Kosova, nga forcat serbe.
Veseli ka pranuar se ky proces mund të zgjasë por do të ndodhë, dhe se askush nuk do të mund të mohoj masakrat në Kosovë.
‘Ky Tribunal do të marrë kohë. Drejtësia Ndërkombëtare nuk e ka kryer punën e vet. Askush nuk ka të drejtë as ta mohojë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Shteti serb ka kryer gjenocid dhe duhet të përgjigjet”, tha ai.


