Një zyrtar i nivelit të lartë të Koresë së Veriut do të vizitojë SHBA-të për të zhvilluar kontakte para Samitit të liderëve që planifikohet të mbahet në Singapor.
Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, zv/kryetari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës në Korenë e Veriut Kim Yong-çol, në aeroportin e Pekinit, para se të niset drejt SHBA-ve do të takohet me zyrtarët kinezë.
Një zyrtar kinez, i cili nuk deshi të zbulojë identitetin lidhur me vizitën në fjalë ka thënë: “Zv/kryetari Kim Yong-çol ka arritur në Pekin. Pas takimit të realizuar me zyrtarët kinezë në aeroport, nesër do të niset për në SHBA”.
Kujtojmë se vizita e Kim-it erdhi pas takimeve të të dy delegacioneve në Seul për t’u përgatitur për Samitin në Singapor.
Mësohet se Kim do të zhvillojë takime edhe në SHBA para samitit i cili planifikohet të mbahet në Singapor.
Kim, i cili është ish shefi i inteligjencës ushtarake, njihet si një person dominues për çështjet e sigurisë dhe çarmatimit bërthamor. Ai më parë nga qeveria e Koresë së Jugut llogaritej si përgjegjës për disa akte provokative të inicuara nga ushtria e Koresë së Veriut. Pretendohej se Kim ka planifikuar sulmin me torpedo në vitin 2010, i cili shkaktoi vdekjen e 46 detarëve të Koresë së Jugut.


