Vocaj: 20 të arrestuar e 10 në kërkim, shisnin drogë pranë shkollave e lokaleve

Mos i humb

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë detaje përmes një konference për mediat sa i takon operacionit antidrogë “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit janë lëshuar 35 masa arresti.

Në një konferencë për mediet, Vocaj bëri me dije se gjatë këtij megaoperacioni u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave, si dhe në lokale nate.

Ai tha se “pas një hetimi katërmujor, me metoda speciale të Hetimit nga Specialistët për Hetimin e  Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 35 shtetasve”.

Vocaj shtoi se mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua faza e tretë e operacionit “Tempulli”, në kuadër të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas të cilët janë të arrestuar më parë gjatë operacioneve, si dhe vijon puna për kapjen e 10 shtetasve të tjerë.

Kreu i Policisë së Tiranës deklaroi se gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë, 100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 27 telefona celular të markave të ndryshme si dhe  5 automjete të markave të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vijojnë veprimet hetimore për  dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Vocaj falënderoi prokurorin e këtij procedimi, Albert Demirneli dhe drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,  Arens Cela, për drejtimin, koordinimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të procedimit.

Gjithashtu, ai falënderoi qytetarët për informacionet e shumta të dhëna për këtë veprimtari kriminale të cilat kanë qenë të rëndësishme për nisjen e hetimeve.

“Duke përfituar nga rasti dua të garantoj qytetarët se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin e sigurinë, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, dhe në këtë kuadër i ftoj përsëri që  që të vazhdojnë të japin akoma më shumë bashkëpunimin me Policinë duke denoncuar çdo rast paligjshmërie në cilëndo fushë që ajo shfaqet, pasi së bashku ndërtojmë një ambient më të sigurt”, përfundoi Tonin Vocaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit