
Rasti i gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi duhet të bëhet subjekt i një hetimi ndërkombëtar, tha një zyrtare e Amnesty International – Dega në Turqi.
“Vrasja e Khashoggit, e cila ndodhi para syve të gjithë botës, duhet gjithashtu të jetë subjekt i një hetimi ndërkombëtar”, tha në një deklaratë për mediat Göksu Özahıshalı, menaxhere e fushatave të organizatës në Turqi, përpara Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, në ditën e 100-të të vrasjes.
Khashoggi u vra dhe u copëtua nga një grup operativësh sauditë pak pasi hyri në konsullatën e vendit në Stamboll më 2 tetor të vitit të kaluar.
Rijadi zyrtar ka ofruar sqarime të ndryshme nga njëra-tjetra në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.
Özahıshalı dhe aktivistët e Amnesty International thanë se kërkojnë drejtësi për Khashoggin, i cili ngriti zërin e tij për lirinë e fjalës në botën arabe.
“Autoritetet turke, të cilët filluan një hetim pas rastit Khashoggi, zbuluan se ai u mbyt dhe pastaj u copëtua. Trupi i Khashoggit të vrarë në mënyrë të dhunshme ende nuk është gjetur”, tha ajo.
Në ditën e 100-të që nga vrasja, rruga ku Khashoggi u pa për herë të fundit është emëruar sipas tij, tha Özahıshalı.
%2F20190110_2_34354172_40622910.jpg)
“Me këtë aktivitet simbolik, po përsërisim kërkesën tonë për drejtësi për Khashoggin”, shtoi ajo.
Özahıshalı tha se janë të kënaqur me përpjekjet e autoriteteve turke për zbardhjen e rastit.
“Si Amnesty International, edhe një herë kërkojmë nisjen e një hetimi të pavarur të OKB-së për vrasjen dhe torturën ndaj Khashoggit dhe krimet dhe shkeljet e tjera të kryera gjatë vrasjes”, apeloi Özahıshalı.
Ajo tha se vrasja e Khashoggit i ka kthyer sytë e gjithë botës drejt Arabisë Saudite dhe princit të kurorës Mohammad bin Salman.
Özahıshalı e cilësoi hetimin e iniciuar nga autoritetet saudite si shfaqje “për sy e faqe”.
“Ne nuk besojmë se autoritetet saudite, të cilët filluan një shfaqje hetimore për vrasjen, do të kryejnë një proces të drejtë dhe të besueshëm”, vlerësoi Özahıshalı.
Prononcimi para mediave u mbështet edhe nga Erol Önderoğlu, përfaqësuesi i organizatës “Reporterët pa Kufij” në Turqi.
Ndryshe, autoritetet turke kanë përdorur çdo mjet në dispozicion për t’i sjellë përgjegjësit e vrasjes së gazetarit saudit para drejtësisë, duke vazhduar presionin ndërkombëtar.
Pavarësisht faktit se kanë kaluar 100 ditë nga vrasja, Rijadi ka mbajur një qëndrim shqetësues për sa i përket zbulimit të informacioneve lidhur me vrasjen.
Turqia ka thënë në mënyrë të përsëritur se do të kërkojë hetim të rasitit nga OKB, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim.


