
Të paktën dy anëtarë të shërbimit të NATO-s ishin midis viktimave të sulmit të sotëm vetëvrasës të talebanëve në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, konfirmon një deklaratë zyrtare.
Misioni i Mbështetjes së Qëndrueshme të drejtuar nga NATO përmes një deklarate tha se një nga anëtarët e shërbimit të vrarë ishte nga SHBA-të dhe tjetri nga Rumania.
Informacione të mëtejshme rreth viktimës rumune pritet të vijnë nga Bukureshti, thuhet në deklaratë, duke shtuar se emri i çdo anëtari të shërbimit amerikan të vrarë në operacion mbahet deri 24 orë pasi të përfundojë njoftimi i familjes.
Me sulmin e sotëm, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në Afganistan këtë vit arriti në 18.
Në sulmin e sotëm jetën e humbën gjithsej 10 vendas dhe mbi 40 u plagosën, njoftoi Ministria afgane e Shëndetësisë.
Sulmi ndodhi tre ditë pasi një kamion-bombë shënjestroi një kompleks të trupave të huaja dhe agjencive të ndihmës, duke vrarë 16 persona, shtetas nepalezë, britanikë dhe rumunë dhe duke plagosur 119 të tjerë.
Dhuna gjithashtu erdhi në kohën e përmbylljes të sesionit të nëntë të bisedimeve maratonike paqësore midis SHBA-ve dhe talebanëve në kryeqytetin e Katarit, Doha javën e kaluar.


