Xhaferi: Fushata për referendumin fillon më 10 shtator

Mos i humb

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka deklaruar se pret rezultat pozitiv nga referendumi për emrin, i cili dje në Kuvend u votua të mbahet më 30 shtator.

Xhaferi bëri të ditur se fushata pë referendumin do të fillojë më 10 shtator, ndërsa Shtëpia ligjvënëse do të punojë deri në këtë datë, pasiqë deputetët do të jenë të angazhuar në fushatën e referendumit. Bartës të fushatës, tha ai, do të mund të jenë partitë politike, por edhe Qeveria e Kuvendi.

Duke theksuar se vullneti i qytetarëve i reflektuar në të gjitha anketat gati tre dekada nga pavarësia e Maqedonisë e këtej për aspektet integruese në NATO dhe BE, Xhaferi tha se nuk ka arsye pse të jetë pesimist për rezultatin e referendumit dhe vullnetin e qytetarëve.

“Pritshmëritë e mia janë që rezultatet përfundimtare të referendumit të jenë pozitive kundrejt asaj çka është edhe vullneti i qytetarëve, për faktin se interes parësor është interesi i qytetarëve i këtij shteti dhe jo interesi i partive politike apo institucioneve të cilat janë të kyçura në proces të organizimit dhe mbarëvatjes së punës së referendumit”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi, i cili më herët zhvilloi brifingun e rregullt me gazetarët, tha se të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në referendum, me faktin se, siç tha ai, edhe ata që do të përcaktohet të mos marrin pjesë në referendum do të kenë një lloj fushate. Ndërsa, lidhur me vendosjen e referendumit me karakter konsultativ, Xhaferi tha se ajo është punë e propozuesve të referendumit.

Lidhur me shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në “Gazetën Zyrtare”, Xhaferi tha se më e përshtatshme është që të bëhet pas referendumit, edhe pse paraprakisht kishte një mendim tjetër.

Përveç pushimit në fushatën e referendumit për emrin, Kuvendi i Maqedonisë do të pushojë me seancat plenare deri më 20 gusht, ndërsa seanca e parë, bëri të ditur Xhaferi, do të thirret rreth 29 dhe 30 gushtit.

Në gjysmën e parë të këtij viti, Kuvendi ka zhvilluar gjithsej 57 seanca, prej të cilave dhjetë ende nuk kanë përfunduar, por sipas Xhaferit, çështjet e rëndësishme nuk varen nga këto seanca të papërfunduara.

Dje, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 68 vota “për”, si dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, mori vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ.

Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim në NATO dhe çelje të negociatave me BE-në.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit