Zaev: Me ligjin për gjuhët nuk humb askush

Mos i humb

Në një video-paraqitje për opinionin kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në përputhje me Kushtetutën dhe amendamentin e 5 të saj, miratuar 17 vite më parë.

“Askush nuk është dhe nuk mund të jetë mbi ligjin”, tha Zaev vetëm një ditë pas miratimit të tij në Kuvend në një atmosferë të tensionuar.

Në adresimin e tij, Zaev thotë se ligji në fjalë është një garanci për përdorimin e gjuhës maqedonase ndërkohë që paraqet një kontribut serioz për konceptin “Një shoqëri për të gjitjhhë qytetarët”.

Duke bërë thirrje për shmangie nga politikat të cilat krijojnë ndarje, përçarje dhe konflikt, kryeministri i Maqedonisë kërkoi përkushtim për rrumbullakimin e reformave në shtet.

Sipas tij, kjo është një vlerë evropiane e cila mori përkrahjen e qytetarëve fillimisht në zgjedhjet parlamentare dhe më vonë në ato lokale.

“Kjo vlerë, Maqedonia vend i të gjithë qytetarëve, është një koncept si dhe një udhërrëfyes drejt së ardhmes sonë. U përcaktuam për politika të cilat po ndërtojnë Republikën e Maqedonisë si një shtet qytetar për të gjithë ata që jetojnë në të, maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, romët, boshnjakët dhe të gjitha komunitetet tjera”, thotë Zaev në video-paraqitjen e tij.

Me avancimin e të drejtës për përdorimin e guhëve, thotë ai, nuk humb askush, por vetëm krijohen kushte për komunikim më të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve.

“Është koha që të hedhim poshtë politikat e ndarjeve, grindjeve dhe konflikteve, e që janë në kundërshtim me vlerat tona evropiane. Obligimi dhe përgjegjësia jonë do të duhet të jenë interesi i të gjithë qytetarëve, pa përjashtim”, thotë kryeministri Zaev, në paraqitjen e tij publike, lidhur me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Kujtojmë se dje me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua sërish në Kuvend, pasi që ai nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me arsyen se është antikushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35.569 amendamente, me të cilat duan të dëshmojnë se i njëjti ligj është jo-kushtetues dhe të tërhiqet.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të këtij shteti, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit