Zgjatja e afateve të vettingut, Basha: Nuk po i japim votë PS. Kuvendi voton sot Reformën Zgjedhore dhe Territoriale

Mos i humb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte është shprehur se krahas zgjatjes së afateve të vettingut, Kuvendi i Shqipërisë, do të votojë edhe ngritjen e dy komisioneve, atij për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, sipas të cilit, dy prioritete kyç për Partinë Demokratike.

Në një prononcim për gazetarët, kryedemokrati theksoi se me votën e opozitës sot në Kuvend, i jepet shansi një drejtësie që të korrigjohet dhe t’i hedhë prangat çdo personi që thyen ligjin dhe jo duke u marrë me të dobëtit, por me ata që abuzojnë me fondet publike.

Ai theksoi se PD nuk i jep votë Partisë Socialiste, pasi kjo e fundit dëshironte që vettingu t’i kalonte KLP-së dhe KLGJ-së, të cilat janë të kapura prej saj. Për Bashën, vettingu i politikanëve është prioriteti kryesor i demokratëve.

“Jam i nderuar t’ju them që Kuvendi do të miratojë sot dhe dy Komisione të rëndësishme, komisioni për reformën territorial dhe komisioni për reformën zgjedhore. Në veçanti arsyeja pse ndodhemi në atë parlament është reforma zgjedhore t’i rikthejmë legjimitetin votës. Sot po hedhim një hap të madh përpara duke detyruar këto dy reforma. Vettingu në politik, ndalimi që kryeministri të ketë jo më shumë se dy mandate dhe një sistem mazhoritar i pastër janë pjesë e një pakete, e cila nuk mund të lidhej me zgjatjen e afateve të vettingut për shkak të afateve.Vettingu i politikanëve është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike. Ne nuk i japim votë Partisë Socialiste, Partia Socialiste donte që vettingu t’i kalonte KLP-së dhe KLGJ-së të cilat janë të kapura prej saj”, tha Basha.

Ndërsa palët e partive politike kanë pasur qasje të ndryshme, faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të votuar “pro” zgjatjes së mandateve të vetting-ut.

Fillimisht ishte delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ai i Ambasadës amerikane, që dy ditë më parë dolën në një deklaratë të përbashkët.

Ata theksonin se e mbështesin “fuqimisht” zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Kujtojmë se më datë 15 tetor 2021, PS depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Mazhoranca kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Opozita e kundërshtoi, ndërsa ende nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin që do të mbajë.

Megjithatë, fjala e fundit i takon Kuvendit të Shqipërisë: do të dëgjojnë thirrjen e faktorit ndërkombëtar, duke i votuar dhe miratuar ndryshimet me 84 vota pro, apo do t’u përmbahen qasjeve të tyre?

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit