
Në Turqi sot po mbahen zgjedhjet në të cilat qytetarët do të votojnë për përbërjen e re të pushtetit lokal me një mandat pesëvjeçar.
Të drejtën e tyre për të votuar, mes tjerash, e kanë shfrytëzuar edhe kandidatët për kryetar të metropoleve turke të Stambollit, Anakarasë dhe Izmirit.
Binali Yıldırım, kandidat i partisë në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në vendvotimin në Stamboll mbëriti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Semiha Yıldırım dhe i nipi.
Pas votimit, ai u tha gazetarëve se interesimi i qytetarëve për të votuar është i madh.
“Zgjedhjet janë një lloj feste e demokracisë. Sot kemi rastin të zgjedhim qeverinë lokale për pesë vitet e ardhshme. Shpresoj që këto zgjedhje të forcojnë edhe më tej m vëllazërinë, unitetin dhe të sjellin një të ardhme të përbashkët”, tha Yıldırım.
Ekrem Imamoğlu, kandidat i partisë opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), për kryetar të Stambollit, në vendvotim erdhi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Dilek Imamoğlu, ndërsa pası kreu obligimin e tij qytetar, deklaroi se pret një rezultat të mirë në Stamboll.
“Shpresoj që votuesit të zgjedhin kandidatët të cilët do të sigurojnë lumturi dhe prosperitet për të gjithë banorët e qyteteve turke”, tha Imamoğlu.
Mehmet Özhaseki, kandidat i AK Partisë për Ankaranë, tha se qytetarët sot do të thonë fjalën e tyre për kandidatët dhe projektet e tyre.
“Me rëndësi është që zgjedhjet të rezultojnë me procese pozitive për Turqinë në përgjithësi, por edhe për Ankaranë në veçanti”, tha ai.
Nihat Zeybekçi, kandidat i partisë në pushtet për Izmirin, pas votimit deklaroi se votuesit në Turqi do të zgjedhin pushtetin lokal për pesë vitet e ardhshme.
“Shpresoj që Izmiri të zë vendin e tij në garën me qytetet e shekullit 21. Le të fitojë Izmiri”, tha Zeybekçi.
Kandidati i CHP-së për të njejtin qytet, Tunç Soyer, nga ana e tij tha se çdo cikël zgjedhor paraqet një test për demokracinë.
“Besoj se do ta kalojmë me sukses këtë test. Me fat”, tha Soyer.
Në zgjedhjet e sotme, rreth 57 milionë votues do të hedhin votat e tyre në 194.390 vendvotime.
Sipas vendimit të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK), në këto zgjedhje garojnë 12 parti politike.
Betejën kryesore zgjedhore do ta zhvillojnë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Partia İYİ dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP).
Shtatë partitë e tjera që marrin pjesë në zgjedhje janë Partia e Pavarur Turke (BTP), Partia e Unitetit të Madh (BBP), Partia Demokratike (PD), Partia Demokratike e Majtë (DSP), Partia Saadet, Partia Komuniste e Turqisë (TKP) dhe Partia Vatan.
Votuesit në Turqi do të zgjedhin kandidatët për kryetarë të komunave, përfaqësues të fshatrave ose njësive të vogla administrative (Muhtar), anëtarë të këshillave komunalë, anëtarë të këshillave të përgjithshëm provinciale, si dhe anëtarë të këshillave dhe asambleve të fshatrave.
Numërimi i votave do të fillojë pas përfundimit të procesit të votimit, gjegjësisht pas orës 16:00 dhe 17:00.


