Zjarri dogji qindra pemë ullinj në Krujë, fermerët kërkojnë ndihmë nga shteti

Mos i humb

Zjarri që përfshiu pak ditë më parë ullishtet dhe pemët frutore në fshatin Mukje të malësisë së Krujës ka dëmtuar shumë fermerët.

Një prej tyre Besim Muka tregon se mundi i shumë viteve u shkrumbua për pak orë.

“Më janë djegur 60 rrënjë ulli, , 40 rrënjë gështenja, qershi dhe pak fiq. Sivjet nga këto ullinj nuk marrim asnjë kokërr se i thau zjarri. Zjarri i përcëlloi trungun. Këto ullinj janë mbjellë në 1997. I lutem shtetit të na ndihmojë me ndonjë fond për të riparuar dëmet, që në janë bërë, tha Muka.

Dëme të parikuperueshme kanë pësuar dhe 90 vjeçari Hamdi Zaja.

“S’mbaj mend dëm më të madh. I kisha të gjitha të reja 80 rrënjë u dogjën të gjitha”, tha Zaja.

Edhe kjo e moshuar ka humbur dhjetëra rrënjë me pemë frutore dhe vreshta. Thotë se askush nga zyrtarët vendorë nuk është interesuar për ta.

“S’ka ardhur askush s’ka pyet njëri në jemi gjallë a kemi vdekur. Për 2 metra mund të na ishte djegur dhe shtëpia”, tha e moshuara.

Mustafa Tema, kryeplaku i fshatit kërkon që këta banorë të dëmshpërblehen, pasi nuk kanë para për të blerë fidanë të rinj.

“Dëmet janë të pallogaritshme, pothuajse të gjitha burimet e jetesës së familjeve të këtij fshati janë shkrumbuar. Këto familje thuajse kanë falimentuar dhe nuk janë pak. I kërkojmë shtetit kompensim të dëmeve sipas ligjeve dhe fondit të emergjencave civile”, tha ai.

Kryeplaku kërkon që Bashkia të ngrejë një komision për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga zjarri në këtë fshat të thellë të Krujës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit