Zvicra, 1.2 milionë euro për dixhitalizimin e KQZ-së

Mos i humb

KQZ dhe qeveria zviceriane nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi deri në vitin 2026, që parashikon 1.2 milionë euro mbështetje financiare për procesin e dixhitalizimit.
Marrëveshja u nënshkrua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, dhe parashikon nisjen e një projekti shumë ambicioz që do të zhvillojë më tej transparencën dhe efektivitetin e KQZ-së përmes mjeteve dixhitale.
Sipas Celibashit, kjo është hera e parë që një organizatë ndërkombëtare apo një qeveri financon direkt me një shumë të tillë, rreth 1.2 milionë euro, projekte të KQZ-së.
“Padyshim që është shprehje e vlerësimit dhe konsideratës pozitive për institucionin e KQZ-së dhe atë që ai përfaqëson ndaj e vlerësojmë faktin që Konfederata e Zvicrës po jep këtë mbështetje në KQZ”, tha ai.
Celibashi theksoi se “është e qartë që ne si institucion kemi përgjegjësinë ligjore dhe morale për të justifikuar bujarinë e qeverisë zvicerane dhe për të mbështetur projektet e KQZ-së kryesisht në fushën e dixhitalizimit”.
“Një pjesë e tyre do të bëhen të vlefshme për zgjedhjet e 14 majit, por financimi përfshin edhe programe të shtrira në kohë më të gjatë”, tha ai.
Ndërsa ambasadorja Huber u shpreh se me këtë marrëveshje hapet fleta e parë e një kapitulli bashkëpunimi që synon rritjen e aftësisë dhe përgjegjësisë së KQZ-së.
“Ne duam të kontribuojmë në mënyrë efektive në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe të forcojmë demokracinë e Shqipërisë. Deri tani kemi qenë të angazhuar në mbështetje të vazhdueshme për Kuvendin e Shqipërisë. Kur flasim për përfaqësim në nivelin qendror e vendor gjithçka është në varësi edhe të proceseve zgjedhore”, tha ajo.
Sipas saj, “sa më i pavarur, efektiv dhe transparent të jetë KQZ, aq më i qartë do të jetë përfaqësimi i vullnetit të popullit në Kuvend”.
“Kjo është arsyeja pse ne mbështesim KQZ-në që të përmirësojë kapacitetet e veta. Marrëveshja e sotme përfshin 1.2 milionë euro për KQZ-në. Kjo mbështetje parashikon rritjen e përgjegjësisë së KQZ-së sidomos për dixhitalizimin e procesit të punës. Përpara kemi sfidat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rreziqet që sjell siguria kibernetike. Ndaj të gjitha sistemet duhet të garantojnë të drejtat e qytetarëve dhe të sigurojnë që të dhënat e tyre janë të sakta dhe të papërdorshme nga të tretë”, tha ajo.
Huber vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm me reformimin e sistemit zgjedhor, por mbeten ende detyra shtëpie për të bërë. “Qeveria zvicerane është e gatshme t’ju mbështesë në misionin e sfidat tuaja”, siguroi ajo.
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit