Vendimi për zvogëlimin e bursave i marrë nga këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po shihet si demotivues për studentët e mirë të këtij universiteti. Shumë bursistë kanë reaguar nëpër rrjete sociale duke e quajtur vendim skandaloz. Madje ata e kanë krahasuar edhe me rritjen e pagave të udhëheqësve të shtetit duke thënë se “Ata pagat e tyre i kanë primare”.
Shuma e bursës dikur ishte 900 euro, më vonë u zvogëlua në 700 euro ndërsa të mërkurën u përgjysmua deri në 500 euro, e barabartë me një bursë komunale për studentet që nuk arrijnëë të fitojnë bursën e fakultetit.
UP ka bërë të ditur se çdo përfitues i bursës i nivelit bachelor do të marrë shumën e 500 eurove. Ky vendim është bërë publik të mërkurën e kaluar.
Njohësi i arsimit, Jusuf Thaçi këtë vendim e sheh si të gabuar, thotë se zvogëlimi i bursave i demotivon studentët e mirë.
“Mendoj që qoftë zvogëlimi i numrit të bursave qoftë zvogëlimi i lartësisë së bursave është veprim i gabuar nga ana e UP-së. Bursat që ndanë UP janë shpërblimi e mirënjohja e vetme për studentët e mirë e të suksesshëm të UP, prandaj zvogëlimi i bursave demotivon pikërisht studentët e mirë në UP”, tha Thaçi të dielën për Express. Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci vlerëson se ulja shumës për bursat e studentëve në Universitetin e Prishtinës ka rënë për shkak të numrit të madh të atyre që kanë notë të lartë mesatare. Sipas tij duhet rishikuar kriteret për dhënien e bursës për studentë.
Vendimi për zvogëlimin e bursave u bë në kohën kur kur pagat e zyrtarëve të Shtetit po dyfishohen. Prandaj studentët kanë krahasuar zvogëlimin e shumës së bursës me rritjen e pagave të udhëheqësve të tyre duke thënë se “Ata i kanë primare pagat e tyre”./Kosova Post/


