Basha fton popullin në protestë: Të çlirojmë vendin nga krimi

Pas mbledhjes me aleatët, Basha doli në një deklaratë për mediat, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë, për të cilën tha se do të mbahet më 26 maj në Tiranë.

“Opozita e Bashkuar i fton të gjitha qytetarët shqiptarë, demokratë e socialistë, të bashkohemi në protestën më të madhe. Ju ftoj të protestojmë për largimin nga pushteti të kriminelëve. I ftoj qytetarët që të protestojmë së bashku për largimin e Fatmir Xhafajt. I ftojmë të protestojmë për largimin nga policia të atyre që ndihmojnë kriminelët si Agron Xhafaj, Habilajt, Balilajt. Ne do t’i themi ndal procesit të zëvendësimit të kriminelëve që i shërbenin Tahirit me ata që i shërbejnë Xhafajt. Sot duhet të kemi një Ministri të Brendshme dhe një polici që i shërben njerëzve. Jo një polici që rrëmben në mes të natës Zaganin dhe kuksianët e pafajshëm, ndërkohë që i nënshtrohet Artan e Moisi Habilajt dhe Agron Xhafajt. Ne duam një polici ku vetingu të fillojë nga Ministri i Brendshëm tek polici më i thjeshtë. Ka nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe me kriminelë as polici i thjeshtë dhe as Ministri i Brendshëm. Ne i ftojmë qytetarët për të protestuar për drejtësi të vërtetë dhe jo fallso. Për drejtësi të barabartë për të gjithë. Për drejtësi që nuk kursen asnjë politikan.Të gjithë ne pavarësisht kujt parti i përkasim, pavarësisht se ku jetojmë, pavarësisht se në çfarë besojmë, jemi në rradhë të parë shqiptarë. Mbi të gjitha ne duam Shqipërinë. Një Shqipëri pa krim, një Shqipëri pa drogë. Një Shqipëri europiane. Një Shqipëri ku ka mundësi dhe dinjitet për të gjithë. Tani është momenti të mos e shtyjmë më. Ne nuk mund të humbasim më kohën dhe energjitë tona çdo ditë duke u marrë me kriminelin e radhës në politikë. Është koha t’u themi sot ndal të gjithë politikanëve të lidhur me krimin. Është koha që të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në Shqipëri. Që të hapim kapitullin e shëndetësisë, të arsimit, të investimeve të huaja, të punësimit”, tha Basha.

Basha tha se protesta do të mbahet të shtunën e 26 majit./Top Channel/