“E ardhmja e 180 milionë fëmijëve, më e errët krahasuar me prindërit e tyre”

Mos i humb

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), paralajmëron se përkundër zhvillimit në masë globale, e ardhmja e 180 milionë fëmijëve do të jetë më e errët krahasuar me prindërit e tyre.

UNICEF publikoi një analizë me rastin e “20 nëntorit, Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve”.

Sipas analizës 180 milionë fëmijë nga 37 shtete, në krahasim me 20 vitet e kaluara, po ballafaqohen me nivel më të lartë të varfërisë esktreme, mosvijimin në shkollë dhe rrezikun e vdekjes nga dhuna.

Në analizë thuhet se në 14 shtete ku vazhdojnë përleshjet dhe mbizotëron qeverisja e keqe si në Benin, Kamerun, Madagaskar, Zambia dhe Zimbabve është rritur numri i personave që jetojnë duke fituar më pak se 1.9 dollarë në ditë. Njoftohet se në 21 vende ku vazhdon kriza financiare dhe përleshjet e armatosura, si Siria dhe Tanzania, ka një rënie të madhe të numrit të fëmijëve që regjistroheshin në shkollat fillore.

Në analizë thuhet se në vendet si Republika e Afrikës Qendrore, Iraku, Libia, Sudani Jugor, Ukraina dhe Jemeni shihet një rritje në nivelin e vdekjeve nga incidentet e dhunshme tek personat e moshës nën 19 vjeç. Përkundër zhvillimeve në masën globale, në analizë thuhet se një në çdo 12 fëmijë prej tyre do të kenë një të ardhme më të errët krahasuar me prindërit e tyre.

Drejtori i UNICEF-it për të Dhëna, Hulumtime dhe Politika, Laurence Chandy, në një deklaratë lidhur me çështjen tha se përkundër asaj që shumica e fëmijëve në botë kanë përfitime të papara më parë, një pjesë e vogël e fëmijëve të harruar janë të privuar nga këto përfitime.

Fëmijët ankohen për mosvlerësimin e mendimeve të tyre

Sipas një hulumtimi tjetër të UNICEF-it, ku përfshihen fëmijët e grupmoshave 9-18 vjeç nga 14 shtete, fëmijët ndjejnë shqetësim të madh për çështjet globale si dhuna, varfëria, terrorizmi, përleshjet, ndryshimi i klimës, sjelljet e këqija ndaj refugjatëve dhe emigrantëve.

Hulumtimi u realizua me pjesëmarrjen e më shumë se 11 mijë fëmijëve nga Turqia, Brazili, India, Japonia, Kenia, Malajzia, Meksika, Holanda, Zelanda e Re, Nigeria, Egjipti, Afrika e Jugut, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Sipas hulumtimit, gjysma e fëmijëve nga këto 14 shtete ankohen se nuk u jepet rëndësi mendimeve të tyre kur merret ndonjë vendim për të ardhmen e tyre. Në hulumim thuhet se 73 për qind e fëmijëve të Republikës së Afrikës së Jugut dhe 71 për qind të Britanisë së Madhe janë ata të cilët e ndejnë nivelin më të lartë të mosvlerësimit të tyre.

Fëmijët nga 14 shtetet kërkojnë nga liderët botërorë që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje për problemet globale si terrorizmi, arsimimi i pamjaftueshëm dhe varfëria.

Shqetësimi i fëmijëve për refugjatët

Fëmijët e të gjitha shteteve në fjalë ndjejnë shqetësim të nivelit të njëjtë për terrorizmin dhe arsimimin e pamjaftueshëm. Fëmijët nga Turqia dhe Egjipti terrorizmin global e shohin si një problem shumë të rëndësishëm.

Në të gjitha shtetet ku UNICEF-i zhvilloi këtë hulumtim, çdo i katërti nga 10 fëmijë ndjejnë shqetësim të madh për trajtimet e këqija ndaj fëmijëve refugjatë dhe emigrantë. Më shumë se gjysma e fëmijëve në Turqi dhe Brazil dhe çdo i 3-ti nga 5 fëmijë në Meksikë janë fëmijët të cilët ndjejnë më së shumti shqetësime për trajtimet e padrejta ndaj refugjatëve dhe emigrantëve.

“Mesazhi ynë është shumë i qartë”

Ndërsa një rezultat tjetër i rëndësishëm i hulumtimit është se 45 për qind e fëmijëve nga shtetet nuk besojnë se të rriturit dhe liderët botërorë do të marrin vendime të mira për të ardhmen e fëmijëve. Vendi ku besimi ndaj liderëve botërorë është në nivelin më të ulët është Brazili me 81 për qind, kurse pas tij vjen Republika e Afrikës së Jugut me 69 për qind.

Përkundër kësaj, India është në vendin e parë sa i përket nivelit të ndjenjës së besimit të fëmijëve ndaj liderit të vendit.

Aktivisti 14 vjeçar dhe mbrojtësi i të drejtave fëmijëve të UNICEF-it, Jaden Michael, tha se “Dita e të Drejtave të Fëmijëve” nënkupton dhënien e fjalës për të ardhmen e tyre te fëmijët. “Mesazhi ynë është shumë i qartë. Duhet të themi haptazi atë çfarë e mendojmë dhe bota duhet të na dëgjojë kur ne e themi këtë”, tha ai./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit