Kush është njeriu më i pasur?

Mos i humb

Kush është njeriu më i pasur?

Teksa lexoja gazetat, më tërhoqi vëmendjen një raport mbi vendet dhe njerëzit më të pasur në botë. Gjatë leximit të artikullit, pyeta veten: Cili është kriteri për tu renditur tek të pasurit?

Rreshtat në vazhdim, ma shuan këtë kureshtje. Aty thuhej që kriteri është posedimi i një milionë dollarësh. Në Singapor, 10.6 % e popullsisë ishin milionerë, në Katar 9.7 % dhe në Zvicër 7.3 %.

Mandej, u ktheva nga djali dhe e pyeta:”Kush është i pasur sipas teje?” Ai u përgjigj:”I pasur… është ai që ka shumë lekë.”

Kjo përgjigje, më zhyti në mendime lidhur me konceptin e krijuar tek brezat e rinj për disa fenomene të caktuara që kanë të bëjnë me paranë.

Mos vallë jetojmë në kohën e përmbysjes së koncepteve? Pasuria dhe risku nuk përbëhen vetëm nga paratë, edhe pse janë pjesë e pasurisë. Shëndeti konsiderohet si pasuri dhe risk, fëmijët, gruaja e ndershme, banesa, rendi dhe siguria, mundësia për të lëvizur i lirë, e qeshura etj… Pra, çdo e mirë që ka njeriu konsiderohet risk dhe pasuri. Madje, ndonjëherë risk dhe pasuri konsiderohen edhe gjërat negative. Fakti që fëmijët e tu nuk sëmuren është risk dhe pasuri. Risk dhe begati është edhe suksesi që përjeton njeriu në çdo punë dhe projekt që fillon. Por mbi të gjitha, të ndihesh i kënaqur me ato që të ka dhënë Zoti në jetë, është pasuria dhe risku më i madh. Të gjithë format e riskut dhe pasurisë së lartpërmendura, janë vetjake dhe individuale.

Sakaq, ekzistojnë forma të tjera të cilat konsiderohen pasuri dhe risk për të gjithë. Me këtë rast mund të përmendim shiun i cili është risk për tokën dhe të gjithë krijesat, ulja e çmimeve në treg është risk për shoqërinë etj… Prandaj është shumë e dënueshme që pasurinë monetare ta kemi si kriter për tu ndjerë të kënaqur me Zotin dhe të kundërtën, fukarallëkun ta kemi si shkak për t’iu ankuar Zotit për gjendjen. Thotë Zoti në Kuran:”Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.” Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. (Fexhr, 15-16)

Kriteri kryesor i pasurisë nuk janë shumat e mëdha, por mënyra si i shpenzon ato. Mund të jetë dikush i pasur, por shpenzon me miliona për tu kuruar nga një sëmundje e caktuar. A mund të quhet një njeri i tillë i pasur?!

Sakaq, mund të shohim një person fukara, por që gëzon shëndet të plotë dhe nuk i njeh ilaçet. A mund ta quajmë diçka të tillë varfëri?!

Koncepti i pasurisë ndryshon sipas kohës në të cilën jetojmë. Shqetësimi kryesor mbetet: Si ti përcjellim këto koncepte tek fëmijët tanë?

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit