Protestë në mbështetje të personave të ndaluar në Kukës

Mos i humb

Në Tiranë është mbajtur përsëri një protestë nga qytetarë kryesisht nga Kukësi dhe familjarë të personave të ndaluar që dyshohen se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”.

Qytetarët kanë protestuar para Drejtorisë së Policisë Tiranë në mbështetje të personave që u ndaluan nga Policia e Kukësit, duke kërkuar lirimin e tyre.

Gjatë protestës në disa momente është bllokuar edhe qarkullimi i automjeteve, ndërkohë që protestuesit vazhdojnë të insistojnë për lirimin e personave që janë të ndaluar.

Protesta është zhvendosur në Tiranë ku u protestua edhe mbrëmë, për shkak se disa prej të ndaluarve janë dërguar në Drejtorinë e Policisë Tiranë pasi u ndaluan nga Policia e Kukësit.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që mbështesin protestuesit dhe kundërshtojnë tarifat për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit”.

Kujtojmë se Policia e Kukësit ka ndaluar 23 persona, të cilat dyshohet se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur pranë Tunelit të Kalimashit kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, ku mbetën të plagosur 13 policë dhe disa qytetarë.

Për të ndaluarit vazhdojnë hetimet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, ndërsa gjykata do të vendosë për masat e sigurisë ndaj tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë njoftoi disa ditë më parë se pas testimit të sistemit për tarifat e kalimit të automjeteve do të përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.

Për motorët është caktuar tarifa prej 2.5 euro dhe për veturat 5 euro, ndërkohë që tarifat kundërshtohen nga banorët e Kukësit./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit