PYD/PKK sjell terroristë të DEASH-it në Afrin

Mos i humb

Janë zbuluar detaje të reja lidhur me pazarllëqet midis organizatave terroriste PYD/PKK dhe DEASH në Siri. Mësohet se PYD/PKK, duke përfituar nga anëtarët e DEASH-it, të cilëve nuk u ka ngelur vend për të shkuar, u kanë premtuar një jetë të re dhe një pjesë të tyre i kanë sjellë nga lindja e Lumit Eufrat në Afrin..

Komandanti i operacioneve speciale pranë Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), Xhemil Karmo, i cili merret me aktivitete informative për zbulim të pazarllëqeve mes PYD/PKK-së dhe DEASH, pasi shpëtoi me lëndime nga atentati i PYD/PKK-së ndaj tij, ndau me AA informacionet që posedon.

Karmo, duke treguar se PYD/PKK shfrytëzojnë rastin që anëtarët e DEASH-it nuk kanë vend për të ikur dhe jetuar, u shpreh:

“PKK, veçanërisht pasi pushtoi Rakkan (me mbështetjen e SHBA-ve), formoi byronë për marrëdhënie të përgjithshme. Shumë pjesëtarëve të huaj të DEASH-it iu premtua që në këmbim të bashkëngjitjes në radhët e PKK-së, nuk do të ndiqen nga vendet në të cilat janë shtetas dhe se emrat do t’u fshihen nga lista e terroristëve. Iu premtua shpëtim edhe pjesëtarëve të njohur të DEASH-it. PKK u propozoi të pastrojë emrat e tyre duke shpallur që në ushtri i ka futur me detyrë të veçantë (si spiunë). Terroristët e DEASH-it, duke mos pasur mundësi zgjedhjeje, i lidhën shpresat për këtë propozim”.

Karmo poashtu theksoi se propozimi i PYD/PKK-së kishte shumë ndikim në bazën e DEASH-it.

“Terroristët e huaj të cilët u janë bashkëngjitur radhëve të PKK-së, tani duke dërguar mesazhe, u bëjnë thirrje terroristëve të tjerë nga vendet e tyre që të shpëtojnë veten duke iu bashkëngjitur PKK-së”, theksoi ai.

Duke thënë se një pjesë e terroristëve të cilët u ndanë nga DEASH-i dhe iu bashkëngjitën PKK-së afro një javë më parë janë sjellë në kampet malore dhe pyjore në Afrin, Karmo bëri të ditur se kalimi i pjesëtarëve të DEASH-it nga ana lindore e Lumit Eufrat bëhet nëpër territoret e kontrolluara nga regjimi i Bashar Asadit.

Komandanti i ULS-së tha se anëtarët e DEASH-it të sjellë në Afrin do të vendosen në frontin kundër Forcave të Armatosura Turke (TSK) dhe ULS-së.

“Arsyeja e zgjedhjes së terroristëve sirianë dhe të huaj nga rajoni i lindjes së Eufratit është se ata nuk e njohin Afrinin. Meqë është i panjohur për ta, Afrini do të ngelet nën kontrollin e plotë të PKK-së”, u shpreh Karmo.

Lajmi se pjesëtarët e DEASH-it të burgosur në burgjet e Afrinit janë liruar nga ana e PYD/PKK-së nën kushtin që të luftojnë kundër TSK-së dhe ULS-së në Operacionin “Dega e Ullirit” veçmë është transmetuar nga AA.

“PKK nga DEASH ka mësuar teknikat e bombave”

Karmo vuri në në pah që pas bashkëngjitjes së terroristëve të DEASH-it në PYD/PKK, është shënuar rritje në sulmet me autobomba.

“PKK nga anëtarët e DEASH-it të bashkëngjitur në radhët e tyre kanë mësuar veçanërisht përgatitjen e automjeteve me bomba, përgatitjen e bombave si dhe teknikat e kryerjes të atentateve. Ka një kohë që në këtë rajon përjetojmë vështirësi serioze nga autobombat. Përgjegjësia e këtyre sulmeve nuk iu ngarkua DEASH-it. Më pas zbuluam se këto sulme kryhen nga PKK dhe i zumë ca qeli të tyre. Personalisht unë, dy javë më parë, u shënjestrova nga PKK me një motoçikletë-bombë. Aktualisht jam ende nën trajtim mjekësor”, u shpreh Karmo.

Pjesëtarët e DEASH-it të cilët nuk u morën në PKK, u drejtuan në Turqi

Karmo, duke folur dhe për terroristët e DEASH-it të cilët nuk u inkorporuan në strukturën e PYD/PKK-së, tha: “ Terroristët e DEASH-it të cilët nuk u morën nga PKK, nëpërmjet një rrjeti kontrabanduesish të lidhur me organizatën, në këmbim të parave u futën në Turqi. Duke e lehtësuar kthimin në vendet e tyre për pjesëtarët e DEASH-it të cilët nuk janë sirianë, ata përpiqen të krijojnë përshtypjen sikur Turqia mbështet terrorizmin. U përpoqën të rrëmbejnë dhe disa anëtarë të DEASH-it nga rajoni i Mburojës së Eufratit, megjithatë, disa prej tyre u kapën nga ULS. Mes tyre kishte dhe emra të rëndësishëm, si përgjegjës të vjetër në Jarabulus. Të gjithë këta erdhën nga rajoni i PKK-së”.

Në afërsi të bazës së SHBA-ve në Munbixh gjendet një grup i DEASH-it

Karmo ndau edhe një informacion interesant në të cilin kishte hasur gjatë aktiviteteve në Munbixh.

“Momentalisht, afër një baze amerikane në fshatin Arima të Munbixhit, në një shtëpi gjenden 25 militantë të DEASH-it prej kombësive të ndryshme. Ata jetojnë aty dhe u plotësohen të gjitha nevojat, duke përfshirë edhe kontaktimin me familjet e tyre. Ende nuk dihet se pse mbahen aty”, u shpreh komandanti i ULS-së.

“Lufta DEASH-PKK ishte trillim”

Karmo, duke vënë në pah se lufta mes dy organizatave terroriste është trilluar nga një numër i organizatave të inteligjencës, shtoi: “DEASH është një organizatë e planifikuar dhe e përgatitur nga më herët. Krijimi i DEASH-it kishte për synim goditjen e revolucionit sirianë. Shumë rajone të pushtuara nga DEASH-i ishin rajone të opozitës”.

Sipas tij, nuk ka pasur luftë të vërtetë mes PKK-së dhe DEASH-it, por, siç tha ai, kjo në përgjithësi ishte një proces i tërheqjes së DEASH-it.

“Kohëve të fundit është zbuluar që shumë liderë të DEASH-it janë pjesëtarë të inteligjencave dhe se kur situata ka qenë e tensionuar, këta persona me aeroplanë janë marrë nga ato rajone. Ndoshta më vonë do të dalin në vende të tjera”, shtoi Karmo.

Terroristët e Afrinit kanë ardhur nga jashtë

Karmo tha se në aktivitetet zbuluese në Afrin, është zbuluar se ka shumë terroristë të huaj të cilët shëtisin me përkthyes pranë vetes dhe se shumë terroristë në Afrin vijnë nga kodra Kandil, në të cilën gjendet struktura qendrore e organizatës.

Komandanti i ULS-së tha se për të përfituar mbështetjen e arabëve refugjatë në Afrin, organizata u premton se “pasi t’i bashkojmë Afrinin dhe Munbixhin, do të hyjmë në Idlib, do ta marrim atë dhe do t’ua japim juve”./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit