Thaçi dhe Haradinaj homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Koshare

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, për nder të betejës së Koshares.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se presidenti Thaçi ka thënë se çdo fillim të vitit, veçanërisht në muajt mars, prill dhe maj, Kosova shënon ngjarje të dhimbshme dhe krenare, të sakrificës dhe të rezistencës, të lidhura me vitet e luftës 1998-1999.

Këto vite, presidenti Thaçi i ka quajtur “vite vendimtare, ku fati i Kosovës po zgjidhej përfundimisht, duke realizuar ëndrrën shekullore të shumë brezave – çlirimin nga sundimi i administratës, policisë dhe ushtrisë serbe”.

“Edhe në këtë 19 vjetor të çlirimit dhe 10 vjetor të Pavarësisë së Kosovës u kujtuan masakra e Likoshanit dhe Çirezit, Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit, masakra në Krushë, në Celinë, në Izbicë e në Rezallë. Do të shënohen e kujtohen me respekt e dhembje ngjarje të ngjashme në muajt në vijim, për të na rikujtuar faktin që liria dhe pavarësia e Kosovës ka pasur një çmim të lartë”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se me krenari sot kujtojmë përvjetorin e 19-të të betejës së Koshares dhe heronjtë Sali Çeku, Agim Ramadani e Xhemajl Fetahu, duke shprehur nderimet më të larta për invalidët dhe veteranët e betejës së Koshares dhe të Pashtrikut.

“Në Koshare, UÇK-ja dëshmoi faktin që kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës. Me kapacitetet njerëzore dhe teknike ishte e aftë për t’u përballë me forcat serbe në luftë frontale. Si rezultat i përgatitjes taktike dhe strategjike, me aktet e vendosmërisë dhe trimërisë së pashembullt u arrit një fitore historike – shembja e gurit të piramidës së kufirit që kishte ndarë një shekull tokat shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këto qëllime madhore, sipas presidentit Thaçi, nuk mund të arriheshin pa sakrifica të mëdha, pa vizionin e qartë politik për vlera demokratike perëndimore dhe pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të BE-së dhe të NATO-s.

– Haradinaj: Luftuam që në këtë shtëpi të përbashkët kurrë më të mos ketë shtypje dhe padrejtësi

Ndërsa edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nën partonazhin e të cilit po mbahet manifestimi Tradicional “Ditët e Shqipes 2018” ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare, ku është mbajtur edhe tubimi përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri.

“I nderojmë sot edhe ata të huaj që ishin rreshtuar me ne, që sfiduan idealet e lirisë e në mbrojtje të humanitetit dhe vlerave tona të përbashkëta. Shumë breza janë shkrirë për Kosovën, por brezi ynë jemi me fat, sepse në krahë kishim NATO-n dhe së bashku ngadhnjyem mbi të keqen. Nuk shkuam në luftë për të poshtëruar popullsinë joshqiptare, por e bëmë luftën që në këtë shtëpi të përbashkët kurrë më të mos ketë shtypje dhe padrejtësi”, tha Haradinaj./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit