Të mërkurën nis zbatimi i Amnistisë Penale, 3 800 përfitues

Mos i humb

Të mërkurën datë 24 prill do të nisë zbatimi i ligjit për “Amnistinë Penale”. Nga ky ligj, që u miratua javën e parë të prillit në Kuvend, përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove.

Sipas ligjit të zbardhur në fletoren zyrtare, nga kjo amnisti do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë. Ulja e dënimit dot të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundërvajtjen penale që është 2 vjet. Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.

Sipas ligjit, përjashtohen nga vuajtja e dënimit: Personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi; Personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 5 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi; Personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 5 vjet; personat e dënuar meshkuj, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç;  personat e dënuar femra, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 50 vjeç;  personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Përjashtohen nga vuajtja e dënimit, pavarësisht masës së dënimit, personat e dënuar për veprat penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre.

Ndërkohë, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit: Personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Po ashtu nuk përfitojnë nga amnistia, personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

Kriteret ndalues për përfitimin e amnistisë: Nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e dënuar për: krime kundër njerëzimit; krime kundër jetës; vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale; vepra penale kundër lirisë së personit; vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit; vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale; vepra me qëllime terroriste.

Në ligj saktësohen dhe kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit. Nga kjo pikë e ligji përfitojnë ulje dënimi me 2 vite burg nga dënimi i mbetur për personat e dënuar gra dhe të mitur; dhe 1 vit e gjysëm nga dënimi mbetur për burrat. Nga kjo pikë përfitojnë të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve përjashtuese.

Pavarësisht nga parashikimet më lart, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Pena: Personat e dënuar me burgim të përjetshëm; Personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nuk përfitojnë nga zbritja e dënimit personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

Sipas ligjit, përjashtohen nga ndjekja penale të gjithë personat që kanë çështje penale në hetim, çështje të pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31.3.2024, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga nenet 91, 96, në paragrafin e dytë të nenit 112, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269 dhe 318 të Kodit Penal.”.

Përjashtohen nga ndjekja penale të gjithë personat që kanë çështje penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në organet përkatëse, për veprat penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, të parashikuara nga nenet 150, paragrafi i parë i nenit 151, paragrafi i parë i nenit 235, paragrafi i parë i nenit 236, paragrafi i parë i nenit 237, paragrafi i parë i nenit 282, neni 293 dhe neni 325 të Kodit Penal.

Nuk përfitojnë personat të cilët i janë shmangur drejtësisë. Nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrimin për të deklaruar sipas ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilave gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit