Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në konferencën e sotme kushtuar gjendjes me koronavirusin, foli edhe për proceset eurointegruese të vendit, (AA).
Pendarovski tha se edhe përkundër gjendjes tejet të keqe në Spanjë, e cila është në mesin e vendeve me rrezik të lartë të pandemisë së koronavirusit, është caktuar seancë e Parlamentit spanjoll më 17 mars, ku pikë e vetme në rendin e ditës është ratifikimin i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Spanja është vendi i fundit anëtar i NATO-s që nuk ka miratuar Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut. Miratimi i këtij protokolli nga Parlamenti spanjoll u prolongua shkaku i zgjedhjeve parlamentare dhe vonesave gjatë formimit të shumicës parlamentare atje.
Megjithatë, shkaku i epidemisë botërore të koronavirusit, Pendarovski tha se nuk do të organizohet ceremonia simbolike e deponimit të Protokollit të Anëtarësimit në Washington, e cila ishte paraparë të mbahej më 23 mars.
Duke folur për integrimet evropiane, Pendarovski tha se koordinimet brenda BE-së për caktimit e datës për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE kanë përfunduar dhe pritet të zyrtarizohen më 26 mars.
“Informatat tona, informatat e mia që i marr nëpër kanale zyrtare, thonë se dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, do të marrin ‘dritë jeshile’ më 26 mars, por sërish e lëmë që këtë të na e sqarojnë në detaje një pjesë e miqve dhe partnerëve tanë nga BE që nga e hëna e tutje do të vijnë në Shkup”, tha Pendarovski.
Kujtojmë se si rezultat i kundërshtimit të Francës, Këshilli Evropian në samitin e tetorit 2019 nuk vendosi të caktojë datë për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësimin në BE.


