Afrika e Jugut në një periudhë prej 24 orëve ka regjistruar 12.771 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve të konfirmuara në këtë vend në 2.734.973, konfirmoi Instituti Kombëtar për Sëmundjet Ngjitëse (NICD), transmeton Anadolu Agency (AA).
NICD tha se janë raportuar edhe 357 vdekje tjera të lidhura me koronavirusin, duke e çuar totalin e vdekjeve në 80.826.
Instituti tha se shumica e rasteve të reja ishin nga provinca KwaZulu-Natal, që përbëjnë 28 për qind, e ndjekur nga Provinca e Kepit Perëndimor me 24 për qind dhe Provinca e Kepit Lindor me 13 për qind.
NICD tha se ka pasur rritje me 495 shtrime në spital në 24 orët e fundit.
Afrika e Jugut, një vend me mbi 60 milionë banorë, ka administruar mbi 11 milionë doza të vaksinave, ndërkohë vetëm 5,14 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht.
Vendi ka numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19 në kontinent.


