Nipi i ish ministrit britanik të Luftës, John Profumo, është arrestuar pas kthimit nga Siria, me akuzat për përfshirjen e tij në organizatën terroriste PKK/PYD.
Siç shkruajnë mediat britanike, 42 vjeçari Jamie Janson, nip i ish ministrit të Luftës, Profumo, i ishte bashkuar grupit terrorist në Siri, me të cilin ka marrë pjesë në aktivitetet kundër armatës turke në operacionin “Dega e Ullirit” në Afrin.
“Burri i arrestuar me dyshimin për vepra terroriste, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga komanda kundër terrorizmit e policisë Metropolitane, është lënë i lirë, por mbahet nën hetim”, shkruan e përditshmja “The Telegraph”, duke cituar policinë britanike.
Janson është arrestuar të martën në Folkestone në krahinën Kent, pasi paraprakisht braktisi Sirinë nga ku është futur në Irak, pastaj Belgjikë dhe Francë, nga ku ka hyrë në territorin e Britanisë.
Ai është arrestuar nga pjesëtarët e Scotland Yard, të cilët e kanë ndaluar në bazë të nenit 5 të ligjit për terrorizëm, dhe pas marrjes në pyetje e kanë liruar me kaucion.
Në një prononcim për “The Telegraph”, Janson tha se ai dhe luftëtarët tjerë të huaj të cilët i ishin bashkuar vullnetarisht grupit terrorist YPG për të luftuar DEASH-in, në muajin mars janë nxjerrë fshehurazi nga Afrini në zonat e kontrolluara nga qeveria e Sirisë, pasi qyteti ra në kontrollin e forcave turke dhe atyre të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).
Kohë më parë, dy shtetasit britanik, Jim Matthews dhe Aidan James, dolën para gjykatësit hetues me akuza për terrorizëm, më saktësisht për përfshirje në grupin terrorist PKK/YPG.
Britania e Madhe në vitin 2001 shpalli PKK-në organizatë terroriste, megjithatë YPG nuk figuron në listën e organizatave të ndaluara.
Autoritetet britanike kanë thënë se shtetasit e saj që luftojnë me grupet e armatosura në Siri, me t’u kthyer në vend do të merren në pyetje në bazë të ligjit për anti-terrorizëm.


