
Shkruan: Mustafa Bajrami
Deklarata e mbrëmshme e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, se: “Pastori Brunson mund të lirohet deri në fund të muajit”, bëri që lira turke të fitoj në vlerë menjëherë. Por lira turke nuk është e vetmja arsye e krizës turko-amerikane.
Në fakt, krizës turko-amerikane i paraprijnë një vagon problemesh. Katër janë kryesorë. I pari ka të bëjë me rastin e Pastorit Andrew Brunson i cili po mbahet i burgosur në Turqi nën akuzën për spijunazhë dhe ndihmë të paligjshme Lëvizjes Feto. I dyti është qyteti Munbixh në Siri ku forcat e armatosura turke u futën atje pa lejën e SHBA-ve. I treti ka të bëjë me çështjen kurde dhe shiritin e sigurisë përgjatë kufirit turk me Sirinë. Ndërsa, i katërti, është pikërisht atmosfera e përgjithshme politike në rajon e sidomos shtrirja e influencës turke në Lindje të Mesme dhe në disa vende të Afrikës. Mosmarrëveshjet tjera janë vetëm make-up mbi marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve.
Sdo mend, se, nga ana tjetër, janë një mori shtetesh evropiane që po shqetësohen nga ftohja e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Washingtonit. Kjo për arsye se ato vende e shohin Turqinë si një partner të rëndësishëm për ekonominë e tyre dhe për shtrirjen e influencës evropiane në rajon. Investimet evropiane në Turqi si dhe të Turqisë nëpër vende të ndryshme të Evropës kapin shifra qindra miliradë euro.
Dje, Volvo ka bërë të ditur se ajo do t’i mbyllë fabrikat e saj në Iran për shkak se bankat iraniane nuk po mundin t’i bëjnë pagesat si rezultat i embargos që presidenti amerikan Donald Trump i ka vënë Iranit. Kohë më parë, edhe Peugeot, Renault dhe Mercedesi janë tërhequr nga aty. Të njëjtën gjë janë duke e shqyrtuar edhe Siemens dhe Daimler. E gjithë kjo jep të kuptohet se këta gjigandë ekonomik do të punojnë që ato fabrika t’i bartin në Turqi. Edhe pse disa mendojnë se gjendja e tanishme e ekonomisë turke ndoshta nuk e ka fuqinë sa t’i përballojë gjithë këtij fluksi të mundshëm të investimeve të reja evropiane, shtetet evropiane po bëjnë çmos që t’i kontribuojnë qëndrueshmërisë së lirës turke dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit bankar të Turqisë. Pikërisht se ato shtete kanë nevojë për rajonin.
Gjithënjë në vijën e përpjekjeve të përmirësimit dhe të zbutjes së atmosferës mes Turqisë dhe SHBA-ve, në prill të këtij viti, dy vendet krijuan komisione të përbashkëta për të shqyrtuar mundësitë e gjetjes së një shtegdalje nga kjo gjendje e rëndë. Përderisa Turqia s’do mend se ka humbur sadopak ekonomikisht, gjë që, ajo menjëherë ka filluar të gjejë alternativa për ta tejkaluar situatën (forcimi i raporteve me Rusinë dhe Kinën si dhe ndihma marramendëse që i erdhi nga Katari dhe disa vende tjera të Azisë dhe Afrikës), SHBA-të po humbin një partner strategjik në rajon, ku edhe po lejojnë që Turqia t’i afrohet Moskës më tepër se sa që ky afrim është në interesin e SHBA-ve dhe partnerëve të saj në NATO.
Sipas analistëve politik, humbja e një aleati siç është Turqia, për SHBA-të dhe Perëndimin është më e madhe se sa humbjet eventuale të Turqisë në ekonomi. Në fillim të këtij muaji, ish sekretari amerikan, 95 vjeçari Henry Kissinger e kishte këshilluar presidentin Trump të ketë më shumë kujdes në politikat e tij me Turqinë. Sipas Kissingerit, prishja e raporteve me Ankaranë nuk është në dobi të Amerikës dhe se kjo do të ketë pasoja afatgjata për politikat amerikane në republikat e Kafkazit dhe në vendet tjera arabe të Lindjes së Mesme.
Se pozita e Turqisë në rajon është e rëndësishme, tregon edhe fakti se sot, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, ka falenderuar presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan për rolin e tij në parandalimin e masakrës së Idlibit dhe për krijimin e një zone të çmilitarizuar përreth qytetit.
Personalisht mendoj se tendosja e marrëdhënieve turko-amerikane ka ndikuar edhe në regjionin e Ballkanit. Ajo do të ndikojë edhe më keq nëse vazhdohet me këtë tempo të ftohjes së marrëdhënieve mes tyre. Rusia mezi po pret që të gjejë partnerë strategjik që do ta mbështesin në politikat e saj për tu shtrirë edhe më fortë në Ballkan. Për këtë gjë, janë të shqetësuara jo vetëm SHBA-të por edhe vende tjera perëndimore anëtare të Bashkimit Evropian./Kosova Post/


