Tryezë diskutimi Shqipëri-Kosovë për sistemin doganor

Mos i humb

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është mbajtur takimi për çështjet doganore Shqipëri-Kosovë, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të biznesit nga të dy vendet.

Tryeza e diskutimit është organizuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës.

Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha se tema e diskutimit të takimit ka lidhje me sistemin doganor, pasi, sipas saj, politikat ekonomike të dy vendeve janë fokusuar në zhvillimin e eksporteve.

“Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila u mbajt në Pejë, u nënshkrua një marrëveshje për krijimin e një dhome ekonomike të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo është iniciativa e parë që ne lançojmë sot në kaudër të bashkëpunimit ekonomik mes dy dhomave”, tha Muçostepa.

“Në takimin e sotëm diskutohet gjithashtu edhe për problemet reale, por mbi të gjitha do të dëgjohet nga dy doganat se ku qendrojnë përmirësimet dhe zhvillimet që ato kanë lançuar kohët e fundit dhe kush do të jetë e ardhmja e bashkëpunimit mes dy doganave për përmirësimin e problematikave, procedurave dhe kostove të sipërmarrjeve”, deklaroi Muçostepa.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në fjalën e tij theksoi se dialogu është një mekanizëm që odat e kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë për ndikim në politikat ekonomike të dy vendeve.

“Jo gjithmonë dialogu jep rezultate. Në këtë drejtim, ne jemi duke diskutuar me partnerët të gjitha mekanizmat që do të mundësojnë eliminimin ebarrierave. Në Kosovë është një moment i ri si rezultat i taksës për produktet serbe dhe produktet nga Bosnja. Kjo taksë, nëse nuk arrin rezultate politike, së paku ka arritur një ndërgjegjësim për nevojën e përkrahjes së produkteve vendase dhe të rishikojmë mundësitë e riorientimit ekonomik dhe të këmbimeve tregtare jo vetëm në rajon, por edhe me vendet e tjera, të cilët mund të jenë partnerë të rëndësishëm tregtarë për Kosovën”, tha Rukiqi.

Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve Rukiqi u shpreh: “Ne jemi këtu që t’i kalojmë me dialog dhe nëse nuk funksionon dialogu ne si biznese duhet të ulemi dhe të shikojmë se cili mekanizëm i presionit do të çojë deri tek zbatimi i marrëveshjeve dhe ligjeve dhe bërja realitet e aspiratës politike që të kemi një treg të përbashkët”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Drejtorisë së Doganave të Shqipërisë, Armand Reveli, në fjalën e tij deklaroi se midis dy vendeve është një bashkëpunim serioz dhe i ngushtë.

“Ne si Drejtori e Përgjithshme e Doganave në raport me bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave të Kosovës jemi avangardë në pjesën e punës sonë në terren që t’i lehtësojmë pjesën e komunikimit dhe legjislacionit bizneseve. Pas firmosjes së marrëveshjes nga dy kryeministrat në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Pejë, drejtoresha e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi me terma konkretë, në të cilën shteti shqiptar, doganës së Kosovës i ka lejuar sjelljen në Shqipëri të agjentëve dhe agjencive doganore kosovare që ta lehtësojnë shkëmbimin tregtar që nga porti i Durrësit dhe dogana e Morinës të jetë një pikë monitoruese”, tha Reveli.

Sipas tij, kushtet dhe termat e nënshkruara janë në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit