AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT

Mos i humb

  1. Muaji Sheval[1] është muaj i bekuar. Është muaj i adhurimit dhe me të fillojnë muajt e haxhit[2]. Pëlqehet agjërimi i gjashtë ditëve të tij dhe njashtu preferohet kompensimi i itikafit[3] për atë që nuk e pati mundësinë të qëndrojë në itikaf gjatë Ramazanit. Shevali është muaj i aktit të martesës (niqahut) dhe ruajtjes së nderit në hallall.[4]
  2. Myslimani, pasi ta agjërojë muajin e Ramazanit, ligjërohet t’i agjërojë edhe gjashtë ditë nga Shevali. Agjërimi i gjashtë ditëve është sunet i pëlqyer dhe jo detyrim, e kanë vlerën e madhe dhe shpërblimin e madh.
  3. Ai që pas muajit Ramazan i agjëron edhe gjashtë ditë nga Shevali, i shkruhet shpërblimi i agjërimit të një viti të plotë, ashtu siç erdhi në hadith ku Profeti ﷺ tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.”[5]
  4. Profeti ﷺ e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: ‘Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish’.” (El-Enam: 160)”[6]
  5. Nëse dikush pyet: Pasi agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit shumëfishohet me dhjetë syresh sikur shumëfishohen në përgjithësi të mirat, atëherë cili është privilegji i agjërimit të gjashtë ditëve?

I përgjigjemi: Dijetarët e shkollës juridike hanbelite dhe shafiite deklaruan se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pasi të agjërohet Ramazani është ekuivalent me agjërimin e një viti agjërim të detyruar.[7]

  1. Nga dobitë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit është plotësimi i mangësisë që ka ndodhur në agjërimin e detyruar të Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadith: “Gjëja e parë nga veprat që robi do të japë llogari ditën e Kiametit është namazi i tij, nëse atë e ka në rregull, fiton dhe shpëton e, nëse atë nuk e ka në rregull, dështon dhe humb. Nëse ka diçka mangësi në namazin e detyruar, Allahu do t’u thotë melekëve shikoni se a ka robi Im diçka nga namazet vullnetare dhe me to t’i plotësohen mangësitë e namazeve të detyruara. Pastaj kështu vazhdon llogaritja e veprave të tjera.”[8]
  2. Përcillet për disa dijetarë se agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e konsideruan të urryer, me pretekst se ekziston frika që disa nga myslimanët të mendojnë se ato janë pjesë e Ramazanit.

Mirëpo, më meritor dhe më i drejtë të ndiqet është suneti i vërtetë profetik dhe nuk braktiset suneti për mendimin e ndokujt, kushdo qoftë ai, dhe arsyetimet e tyre “nuk mund ta kundërshtojnë sunetin e vërtetë dhe ata që e dinë argumentin kanë përparësi të pasohen karshi atyre që nuk e dinë.”[9]

  1. Për ta larguar sa më shpejt përgjegjësinë para Allahut, më mirë është të fillohet me kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit, andaj ai që nuk e ka agjëruar me arsye ndonjë ditë të Ramazanit, le të përshpejtojë ta kompensojë dhe ta lajë borxhin e tij. Kompensimit i jepet prioritet para veprave vullnetare nga pikëpamja e përgjithshme.
  2. Kush e dëshiron shpërblimin e cekur në hadith, fillimisht le t’i kompensojë ditët e humbura të Ramazanit e pastaj le t’i agjërojë gjashtë ditët e Shevalit[10].

Fjala e Profetit ﷺ: “dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali” dukshëm aludon në atë se fillimisht plotësohet agjërimi i Ramazanit e pastaj agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, “sepse pasimi i agjërimit të Ramazanit me gjashtë ditët e Shevalit, siç ka ardhur në hadith, mund të realizohet vetëm nëse është plotësuar agjërimi i muajit Ramazan.”[11]

  1. Nuk lejohet kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e Shevalit me një nijet të përbashkët. Ai që me arsye e ka prishur agjërimin e Ramazanit nuk lejohet që agjërimin vullnetar të gjashtë ditëve dhe kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit t’i agjërojë me një nijet të përbashkët.
  2. Lejohet që gjashtë ditët të agjërohen pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval, sipas mundësive që i ka agjëruesi, nëse i vonon deri në fund të muajit, nuk është problem e, në veçanti, për atë që i shkojnë mysafirë apo bashkohet për ndejë me të afërmit e tij për Bajram dhe ditët pas. Në këtë çështje ka hapësirë.
  3. Lejohet që agjërimi i ditëve të bardha dhe ditës së hënë dhe të enjte, të agjërohen me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu të shpresohet që agjëruesi t’i arrijë të dyja shpërblimet.

I këtij mendimi është edhe dijetari Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpresohet që agjëruesi ta arrijë shpërblimin e dy agjërimeve, sepse atij i llogaritet edhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, po edhe i ditëve të bardha. Mirësia e Allahut është e madhe dhe e gjerë.”

“Ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit dhe tri ditët e bardha me një nijet të përbashkët, e merr shpërblimin e dy agjërimeve .”[12]

  1. Nëse agjërimi i gjashtë ditëve bie në ditën e shtunë, agjëruesi lejohet ta agjërojë këtë ditë, sepse ai nuk e veçon ditën e shtunë me agjërim, por e agjëron ngase është pjesë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.
  2. Kujt i ka mbetur Ramazani pa agjëruar dhe kompensimi i tij e përfshin krejt muajin Sheval, sikurse gruaja në periudhën e lehonisë, ajo gjashtë ditët e Shevalit i agjëron në muajin Dhulkade që vjen pas Shevalit, dhe shpërblimi i saj do të jetë sikurse i ka agjëruar në Sheval, sepse vonimi në këtë rast ka qenë me arsye dhe i detyrueshëm[13]. I këtij mendimi është dijetari Ibën Uthejmini dhe Ibën Sa’dij, Allahu i mëshiroftë![14]
  3. Kujt i kanë mbetur ditë për t’i kompensuar nga Ramazani dhe nuk i agjëron pa asnjë arsye në Sheval, për të nuk ligjërohet që gjashtë ditët e Shevalit t’i kompensojë në Dhulkade dhe nuk e arrin shpërblimin, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet dhe me përfundimin e muajit, ka ikur koha e vet pa arsye.
  4. Nga besimet e kota dhe jo të drejta është besimi i disave se ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit në ndonjë vit, më pas detyrohet t’i agjërojë për çdo vit që vjen.

Kjo nuk është e vërtetë, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet, kushdo i agjëron dhe për të shpërblehet. Ai që i agjëron gjashtë ditët një herë apo më shumë herë, më pas nuk detyrohet të vazhdojë t’i agjërojë për çdo vit dhe nuk merr mëkat nëse nuk i agjëron.

  1. Disa besojnë se kush fillon me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit është i detyruar t’i plotësojë ato derisa t’i përfundojë dhe nuk arsyetohet nëse i ndërpret apo nuk i agjëron të gjashtat.

Kjo nuk është e vërtetë sepse në hadith është cekur: “Ai që agjëron vullnetarisht është udhëheqësi i vetes, nëse do, agjëron e, nëse do, nuk agjëron.”[15]

Agjëruesi mund ta ndërpresë agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, me arsye apo pa arsye, dhe nuk detyrohet kompensimi i tyre sipas mendimit më të saktë, por i ikën shpërblimi i përmendur në hadith i cili nuk arrihet përveçse me plotësimin e agjërimit të Ramazanit duke e pasuar atë me gjashtë ditët e Shevalit.

  1. Nga risitë që nuk kanë bazë në fe është festimi i ditës së tetë nga Shevali, pasi plotësohen gjashtë ditët me agjërim. Këtë ditë dhe festë e quajnë si “dita e punëmirëve.”

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e tetë e Shevalit nuk është festë, as e punëmirëve dhe as e punëkëqijve, dhe nuk i lejohet askujt të besojë se kjo ditë është festë dhe të shpikë në të diçka nga ritet e festave.”[16]

  1. Nga risitë është abstenimi nga martesa në muajin Sheval, me pretekst të parandjenjës së keqe për fatin e martesës. Arabët muajin Sheval e llogaritnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë dhe besonin se gruaja në këtë muaj duhet të abstenojë nga burri i saj, sikurse abstenon femra e devesë kur mbetet me barrë dhe e ngre bishtin e saj.

Profeti ﷺ e prishi këtë besëtytni të tyre dhe u martua me Aishen i në muajin Sheval dhe hyri dhëndër me të në muajin Sheval.[17]

  1. Pëlqehet martesa, të martuarit dhe hyrja dhëndër në muajin Sheval, duke e ndjekur kështu traditën e Profetit ﷺ dhe duke e kundërshtuar besimin e kotë të periudhës para Islamit që e kishin, të cilët besonin se martesa është ogurzezë dhe ndjellakeqe në Sheval. Besimtari pëlqehet ta ndjekë këtë traditë profetike e, në veçanti, nëse ky besim i kotë është i përhapur dhe i shpërndarë në shoqëri.

Aisha i e pëlqente që gratë të martoheshin me burrat e tyre në muajin Sheval.[18]

  1. Nga bindjet e kota është besimi i disave se kush martohet në mes dy bajrameve, Fitër dhe Kurban Bajram, njëri nga dy bashkëshortët do të vdesë apo do të vijë deri te ndarja me njëri-tjetrin.

Ky besim është i kotë dhe nuk ka bazë askund në fe. Është pretendim i njohjes së të ardhmes dhe të së fshehtës, që nuk e di askush përveç Allahut, dhe është njollosje e imanit në caktimin e Allahut dhe është parandjenjë e keqe e ndaluar dhe ogurzezë.

Martesa e Profetit ﷺ me Aishen i është argument i qartë dhe kundërshtim i këtij besimi të kotë.

E lusim Allahun që veprën ta pranojë dhe të na ndihmojë që ta përmendim Allahun, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si është më e mira!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit