AGJËRIMI VULLNETAR

Mos i humb

MUNDËSI E PASTËR

Ata që punojnë me ndërrime dhe nëpër rajone të izoluara, kanë mundësi të madhe për agjërim vullnetar. Kur janë në ndërrim të natës, e kanë më lehtë gjatë ditës të agjërojnë, sepse pushojnë dhe flenë. Kështu e kishte zakon një punëtor i cili tregon se i agjëronte gjashtë ditët e Shevalit, tri ditët për çdo muaj etj. gjatë javëve kur ishte në ndërrimin e natës.

AGJËRIMI I DITËVE TË BARDHA

Pëlqehet të agjërohen për çdo muaj dita e 13-të, e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë, duke u mbështetur në hadithin e Ebu Dherrit h, i cili tregon: “Na urdhëroi Pejgamberi ﷺ t’i agjërojmë gjatë muajit tri ditët e bardha.”[1] E kanë marrë emrin ditët e bardha shkaku i dritës që del nga hëna e plotë e cila e ndriçon qiellin gjatë natës. Hëna në ato net shfaqet e plotë, duket e qartë dhe me dritë që e zbardhon natën e, pasi drita i përfshin ato net, i përshtatet rastit që ato ditë të përfshihen me adhurim.

AGJËRIMI I TRI DITËVE NË ÇDO MUAJ

Pejgamberi ﷺ e porositi Ebu Hurejrën h t’i agjëronte për çdo muaj nga tri ditë.

Kur duhet të agjërohen këto ditë? A detyrohet të agjërohen të pandara?

Përgjigjja: “Lejohet të agjërohen rresht njëra pas tjetrës, apo të ndara kurdo brenda muajit.”

U pyet Aisha i nëse Pejgamberi ﷺ i agjëronte tri ditë për çdo muaj. U përgjigj: “Po.” E i thanë: “Cilat ditë brenda muajit i agjëronte?” U tha: “Nuk ua vinte mendjen se cilave ditë të muajit t’i agjërojë.”[2]

Pejgamberi ﷺ thoshte: “Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”[3]

I porositi disa sahabë t’i agjëronin nga tri ditë, prej tyre, Ebu Hurejrën, Kehmes el-Hilalin, Ebu Dherin, Abdullah ibn Amrin, Ebu Derdanë dhe Umu Selemen j.

Pëlqehet që agjërimi i këtyre tri ditëve të jetë në ditët e bardha. Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin, mirëpo më e mira është që agjërimi i tyre të bëhet në ditët e bardha.”[4]

Shpresohet për atë i cili i agjëron këto ditë me nijet për gjashtë ditët e Shevalit, t’i shkruhen atij dy shpërblime.

Po qe se dëshiron këto tri ditë t’i agjërojë në ditët e bardha (d.m.th. në ditën e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të muajve hënorë), mirëpo ditën e 13-të të muajit Dhulhixhe nuk mundet ta agjërojë për shkak se është prej ditëve të Teshrikut (dita e 4-të e Kurban Bajramit). Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, për këtë thotë: “Mund të agjërohet dita e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë e, nëse do ta agjërojë të 16-tën apo ndonjë ditë tjetër të muajit të Dhulhixhes që t’i plotësojë tri ditë, nuk është problem, kjo është më e mirë.[5]

AGJËRIMI NË DITËN E XHUMA

Ka ardhur ndalesë që dita e xhuma të veçohet me agjërim, përveç kur asaj dite i shtohet një ditë para apo mbrapa, apo ai i cili e ka zakon të agjërojë një ditë po dhe një ditë jo, apo ai i cili i agjëron tri ditët e bardha, apo e agjëron ditën e Arafatit (apo ditën e Ashurës) dhe agjërimi i këtyre ditëve bie në ditën e xhuma.[6]

Po ashtu “i lejohet myslimanit në ditën e xhuma t’i agjërojë ditët e mbetura nga Ramazani, qoftë edhe nëse e veçon xhumanë me agjërim.”[7]

Ai që agjëron në ditën e xhuma, pa e agjëruar një ditë para, pra ditën e enjte, duhet që agjërimit të ditës së xhuma t’ia shtojë agjërimin e ditës së shtunë dhe kështu t’i ikën ndalesës që e xhumaja të veçohet me agjërim, sepse Pejgamberi ﷺ i tha nënës së besimtarëve Xhuvejrije bint El-Harith i, e cila kishte agjëruar në ditën e xhuma: “Dje a mbajte agjërim?” – Iu përgjigj: “Jo.” – Pejgamberi ﷺ i tha: “E ditën e nesërme a do të agjërosh?” – Iu përgjigj: “Jo.” – “Atëherë mos agjëro as sot.” – i tha Pejgamberi ﷺ. [8]

GRUAJA DHE AGJËRIMI VULLNETAR

Nuk i lejohet gruas të agjërojë nafile si gjashtë ditët e Shevalit etj. pa lejen e burrit të saj, duke u mbështetur në hadithin: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë (agjërim vullnetar) duke qenë burri i saj i pranishëm (në shtëpi apo në vend), pa lejen e tij.”[9] Kjo, për shkak se haku ndaj burrit është më i madh se agjërimi vullnetar.

Nëse ka filluar të agjërojë nafile pa lejen e tij dhe ai e urdhëron ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet atij.

Nëse burri e lejon të agjërojë e më pas e ndërron vendimin dhe kërkon prej saj ta prishë agjërimin, duhet t’i bindet edhe në këtë rast.

Gruaja që burrin e saj nuk e ka të pranishëm, mund të agjërojë pa lejen e tij.

Ndërsa, për sa i përket kompensimit të ditëve të mbetura, nëse hapësira është e gjerë (d.m.th. ka kohë për t’i kompensuar), nuk lejohet të agjërojë pa lejen e tij, por, nëse nuk ka hapësirë dhe koha është e ngushtë për t’i kompensuar ditët e mbetura nga Ramazani, p.sh., nëse është në muajin Shaban, në dhjetëshin e fundit të tij dhe ajo i ka dhjetë ditë të paagjëruara, në këtë rast agjëron pa marrë leje prej tij.[10]

AGJËRIMI NË MUAJIN MUHARREM

Muaji Muharrem[11] e ka marrë këtë emër nga fakti se bën pjesë në muajt e shenjtë[12], duke e vërtetuar në këtë formë shenjtërinë e tij.

Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem.”[13] Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Pëlqehet të agjërohet sa më shpesh gjatë këtij muaji.

Hasen Basriu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[14]

Fjalët e Pejgamberit ﷺ në hadith: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin e Allahut, muajin Muharrem”:

Sqarojnë se muaji Muharrem është muaji më i mirë pas muajit Ramazan.

Ia dedikoi Vetes muajin Muharrem si “muaji i Allahut” në shenjë nderimi dhe madhështie të agjërohet në të.

Më mirë është të mos agjërohet krejt muaji, duke u bazuar në fjalën e Aishes i: “Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ  që e ka agjëruar ndonjë muaj plotësisht përveç Ramazanit.”[15] Megjithatë, nëse e agjëron, nuk është problem.

Ditët më të mira të muajit Muharrem janë dhjetëshi i parë.[16]

AGJËRIMI I ASHURËS[17]

Pejgamberi ﷺ tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[18]

Agjërimin e plotë të Ashurës agjëruesi e merr kur nijetin e bën natën (d.m.th. deri në kohën e imsakut). Ngritja në syfyr llogaritet bërje e nijetit.

Lejohet të agjërohet Ashura veç në ditën e dhjetë, megjithatë atij që i ka ikur mundësia t’ia shtojë ditës së dhjetë një ditë para, pra ditën e nëntë të Muharremit, pëlqehet ta agjërojë ditën e njëmbëdhjetë të Muharremit. Kështu i kundërshton hebrenjtë dhe e merr shpërblimin.

Më e mirë për udhëtarin është ta agjërojë këtë ditë përderisa nuk ndien vështirësi.

Sahabët i kalitnin fëmijët e tyre ta agjëronin  ditën e Ashurës dhe kur ata ndienin uri, i mashtronin me lodra.

Lejohet të veçohet dita e dhjetë e Muharremit me agjërim, por më mirë është t’i bashkëngjitet një ditë para. Agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë është më i mirë se agjërimi i ditës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19] Kur i bashkëngjitet dita e nëntë ditës së dhjetë, kështu i kundërshton hebrenjtë dhe është më e sigurt për ta qëlluar ditën e Ashurës.

Myslimani e mbron veten duke bërë vepra që ia shlyejnë gjynahet, si: agjërimi i Ramazanit, i ditës së Ashurës, i ditës së Arafatit, marrja e abdesit, falja e namazit, xhumaja, përputhja e aminit të namazfalësit me aminin e melekëve (pasi ta lexojë suren Fatiha në namaz).

Këto vepra i shlyejnë mëkatet e vogla e, nëse ato njeriu nuk i ka, atëherë shpresohet t’i lehtësohen mëkatet e mëdha. E, nëse ato nuk i ka, atëherë i rriten gradat dhe i shtohen të mirat.[20]

Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[21], ndërsa Allahu thotë: “… Dhe përkujtojua atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5).

Agjërimi i ditës së saj i shlyen mëkatet e vitit të kaluar. Të përbashkët me agjërimin e ditës së Arafatit e ka shlyerjen e mëkateve, saqë me agjërimin e këtyre dy ditëve, pastrimi nga mëkatet bëhet më i fortë dhe i rriten shkallët besimtarit më lart.

Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm.

Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij. Kjo ndodhi na kujton me disa gjëra:

– Allahu i shpëton të dashurit, besimtarë e vepërmirë që e kanë frikë Allahun.

– Sado umeti të jetë i dobët, mos u dëshpëro, por mbështetu në Allahun dhe bëj sabër.

– Zullumqarëve u vjen fundi.

– Allahu me bujarinë e Tij për një vepër të vogël (agjërimin e një dite), fal shumë (shlyen mëkatet e një viti).

Ibn Abasi h përcjell se Pejgamberi ﷺ kur erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga armiku i tyre dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.” Pejgamberi ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Pejgamberi ﷺ e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[22]

Hadithi tregon se për begatinë e shpëtimit, Allahu u falënderua me agjërim të kësaj dite, ndërsa Pejgamberi ﷺ nuk la që hebrenjtë të veçohen në këtë ditë me mirësi, por i kundërshtoi duke ia shtuar (ditës së dhjetë) një ditë para me agjërim.

Dita e Ashurës është ditë madhështore ku Allahu e shpëtoi Musain n nga faraoni, armiku i tij. Hadithi: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju”; tregon se myslimani është më meritor t’i do të gjithë të dërguarit e Allahut, të besojë në ta, t’ua respektojë pozitën dhe t’i urrejë armiqtë e tyre: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” (El-Bekare: 285). Ndërsa, kush i dallon duke besuar në disa prej tyre e duke i mohuar disa të tjerë, apo beson në ndonjërin prej tyre, por nuk e ndjek rrugën e tij, nuk ka të drejtë të lidhet me të apo të flasë në emër të tij.

Hadithi: “Mos e veçoni me agjërim ditën e xhuma nga ditët e tjera, përveç nëse ndonjëri nga ju agjëron dhe agjërimi i tij përputhet me këtë ditë”[23]; tregon që urrehet të veçohet xhumaja me agjërim. Ndërsa, nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron me qëllim të Ashurës, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma.

Pamjet që i transmetojnë disa kanale televizive me rastin e ditës së Ashurës ku shohim njerëz që veprojnë gjëra të ndryshme (rrahje të vetvetes me shpulla dhe vajtime), që Islami nuk urdhëron në to, por ato janë risi në fe dhe kjo na bën ta falënderojmë Allahun për udhëzimin tonë në sunet. E jona është të mundohemi të pakësojmë nga ato veprime të ndaluara, duke ua mësuar njerëzve fenë e Allahut dhe sunetin.

Secili hadith që transmetohet prej Pejgamberit ﷺ për vlerën e lyerjes së syve, e ngjyrosjes, e pastrimit, e vizitës së varrezave etj. në ditën e Ashurës, është i pavërtetë dhe gënjeshtër.

Asnjë hadith ku përmendet vlera e ditës së Ashurës, nuk është i saktë. Hadithet e vetme të sakta janë ato ku përmendet agjërimi, shlyerja e mëkateve të një viti dhe shpëtimi i Musait dhe popullit të tij nga faraoni. Vlera dhe madhështia e këtyre haditheve na mjaftojnë.

Hadithi: “Ai që tregohet zemërgjerë me familjen e tij në ditën e Ashurës, Allahu do t’i japë me bollëk gjatë tërë vitit”, nuk është i vërtetë.[24]

A lejohet t’i jepet përparësi agjërimit vullnetar para atij farz, si: kompensimi i ditëve të mbetura etj.? Dijetarët kanë përmendur disa mendime, por më mirë dhe shpërblim më të madh ka nëse i jepet përparësi agjërimit farz. Gruaja që e ka pasur nijet ta agjërojë ditën e Ashurës, por i kanë ardhur menstruacionet, shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit, “sepse po të mos ishte pengesa e menstruacioneve, nijeti i saj ka qenë i sinqertë të agjërojë. Njeriu kur e bën nijetin për vepër të mirë dhe i merr shkaqet, por, ndërkohë, në mes të tij dhe arritjes deri tek ajo vepër, del ndonjë pengesë të cilën nuk mund ta largojë, atij i shkruhet shpërblimi sikur ta kishte bërë atë vepër.”[25]

Gruaja që e ka zakon ta agjërojë ditën e Ashurës, mirëpo e pengon ndonjë arsye apo sëmundja të agjërojë, shpresohet të marrë shpërblimin sikur të atij që agjëron. Ajo shpërblehet vendosmërinë dhe për keqardhjen që e ndien në zemër që po i ikën ky adhurim. Le të mundohet ta kompensojë këtë dhembje sadopak duke qenë në shërbimin e agjëruesve nga familjarët e saj.

Po qe se ndonjëri e agjëron ditën e Ashurës në ditën e xhuma (dhe nuk i shton ditë para apo pas) për shkak se Ashura i bie në ditën e xhuma, agjërimi i tij është në rregull. Ndalesa është që xhumaja të synohet që të veçohet me agjërim. Megjithatë, nëse ia shton agjërimit të Ashurës, që bie në ditën e xhuma, ditën e shtunë, do të ishte më mirë.

AGJËRIMI NË MUAJIN SHABAN

Usame ibn Zejd h thotë se e pyeta Pejgamberin ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj tjetër sikurse e agjëron muajin Shaban?”  Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan. Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.”[26]

Janë tri lloje të ngritjes dhe prezantimit të veprave tek Allahu: ngritja ditore, javore dhe vjetore.

Lloji i parë: Ngritja ditore; për çdo ditë veprat ngrihen dy herë, një herë brenda natës dhe një herë brenda ditës. Vepra e ditës ngrihet në fund të ditës, kurse vepra e natës në fund të natës.

Lloji i dytë: Prezantimi javor; dy herë brenda javës prezantohen veprat, ditën e hënë dhe ditën e enjte.

Lloji i tretë: Ngritja vjetore; veprat e një viti ngrihen përnjëherë në muajin Shaban.

Është edhe një ngritje tjetër e veprave, ajo e pasvdekjes. Kur të vijë exheli, veprat e jetës në tërësi ngrihen dhe prezantohen para Allahut dhe me këtë mbyllen edhe fletushkat e veprave. Ky është prezantimi i fundit.

Hadithin “Kur të plotësohet gjysma e Shabanit, mos agjëroni pas asaj dite”[27], shumica e dijetarëve e dobësojnë e disa të tjerë e vlerësojnë të saktë.

Qëllimi i hadithit është se ndalohet të fillohet me agjërim pasi të plotësohet gjysma e Shabanit, ndërsa ai që e ka agjëruar shumicën e muajit, ia ka qëlluar sunetit.[28]

Lejohet të agjërohet pasi të plotësohet gjysma e muajit Shaban:

Ai që ka agjëruar në gjysmën e parë.

Ai që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si ditën e hënë dhe të enjte.

Ai që duhet t’i kompensojnë ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar, apo ka ndonjë zotim apo shpagim.

AGJËRIMI NË DHJETË DITËT E DHULHIXHES

Agjërimi i dhjetë ditëve të Dhulhixhes për atë që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani i fundit:

Ai që ka ditë të mbetura të paagjëruara, e ka për obligim të fillojë me to para se të fillojë me agjërim vullnetar, sepse farzi është më i rëndësishëm se vepra nafile. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve.[29]

Ai që ka ditë të paagjëruara, duhet të nxitojë të fillojë me agjërimin e tyre, në vend se të fillojë me agjërimin e nafileve. Kështu e kryen borxhin gjatë këtyre ditëve me vlerë.

AGJËRIMI NË DITËN E ARAFATIT

Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e dy viteve. Agjërimi në ditën e Kurban Bajramit dhe në tri ditët pas tij (d.m.th. në ditët e Teshrikut) është i ndaluar dhe ai që e agjëron, bën mëkat. Këtu bën përjashtim haxhiu që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[30].

Allahu thotë: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh …” (El-Kasas: 68); “përqendrimi në Islam bëhet vetëm me nënshtrime dhe bindje.”[31]

Agjërimi i një dite i fshin mëkatet e më shumë se shtatëqind ditëve (pra, të dy viteve). Pejgamberi ﷺ tha: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj dhe llogaris që Allahu t’i shlyejë mëkatet e vitit që kaloi dhe vitit të ardhshëm”.[32]

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I shlyen për dy vjet mëkatet e atij që e agjëron.”[33]

Sa thesar i vërtetë dhe mundësi e madhe. Pasha Allahun, nuk mund të barazohet me asnjë shumë!

Udhëtarit, përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Arafatit gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.

Atë që e pengon ndonjë arsye e shëndoshë ta agjërojë ditën e Arafatit, si i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tyre ka qenë ta agjërojë ditën e Arafatit për çdo vit, ai apo ajo do të shpërblehet sipas nijetit dhe nga pamundësia e agjërimit të kësaj dite, le të përkujdeset të veprojë vepra të tjera bamirësie dhe nga ato që ia shlyejnë mëkatet.

Më e mira dhe më e përsosura tek agjërimi vullnetar i përcaktuar, ku në të bën pjesë edhe agjërimi i ditës së Arafatit, është që nijeti për agjërim të bëhet natën me qëllim që shpërblimi të jetë i plotë dhe jo i mangët dhe me ngritjen për syfyr llogaritet se është bërë nijeti.

Sahabët kujdeseshin për agjërimin e fëmijëve të tyre në ditët e mëdha në vlerë sikurse dita e Arafatit, që të mësohen me adhurim dhe respektim të riteve.

Dijetari, Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse dita e Arafatit bie në ditën e xhuma, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që kjo ditë të veçohet me agjërim. Myslimani në këtë rast e agjëron të xhumanë si ditë Arafati, e jo se është ditë xhumaje…”[34]

Po qe se ia bashkëngjit edhe ditën e enjte, do të ishte më mirë, duke e pasur faktin që dita e enjte në këtë rast i bie të jetë, 8 Dhulhixhe, prej dhjetëshit të parë të Dhulhixhes, që janë ditë më vlerë.

Gruas që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa agjëruar dhe ditën e Arafatit e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i saj pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Arafatit[35]. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin e ditës së Ashurës, nëse agjërohet me nijet kompensimi.[36]

DITËT E TESHRIKUT

Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi në ditët e Teshrikut nuk lejohet, përveçse për haxhiun që nuk ka mundësi të bëjë el-hedjin (kurbanin)[37].”[38]

Ditët e Teshrikut, dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ndryshe quhen edhe si ditët e Minës, ngase në këto ditë haxhilerët qëndrojnë në Mina dhe njashtu janë ditë të gjuajtjes së guralecëve në Xhemarat.

Shumica e dijetarëve nuk e lejojnë agjërimin e këtyre ditëve, qoftë agjërim vullnetar apo kompensim të ditëve të humbura apo shkaku i zotimit dhe, sipas tyre, ai që i agjëron ditët e Teshrikut, agjërimi i tij është i pavlefshëm.

Ditët e Teshrikut janë ditë feste dhe nuk lejohet të agjërohen. Pejgamberi ﷺ ndaloi që këto ditë të agjërohen dhe tha: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe përmendjeje të Allahut.”[39]

Hadithi na e bën të qartë se me ngrënie dhe pirje në ditët e Bajramit, myslimani ndihmohet për ta përmendur dhe adhuruar Allahun. Kështu bëhet falënderimi i plotë për begatitë, ndërsa ai që i përdor begatitë e Allahut për t’i mëkatuar Atij, vetëm se i mohoi ato, e pas kësaj Allahu mund t’ia zhdukë ato.

VEÇIMI I DITËS SË FUNDIT TË VITIT ME AGJËRIM

Të veçohet dita e fundit e vitit (hënor) me adhurim si me agjërim apo namaz është risi në fe.

Nuk lejohet thënia: Përfundoje vitin me agjërim.

 

Dr.Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit