Amaterizmi i politikës dhe diplomacisë kosovare!

Mos i humb

Është me rëndësi të madhe për klasën politike kosovare t’i lexojë përvojat e shteteve që kanë kaluar nëpër bungaja të njëjta nëpër të cilat po kalon Kosova. Leximi dhe kuptimi i librit të jetës së tjerëve ndihmon shumë në përgatitjen e të ardhmes së jetës sate. Vetëm injorantët e papërgjegjshëm nuk e bëjnë këtë. Nuk e bëjnë as njerëzit të cilët shtetin nuk e kanë për dert, e as ata të cilët nuk janë të aftë ta udhëheqin shtetin e tyre.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Po e nisi nga këtu. Para 9 viteve kisha botuar në një të përditshme kosovare tri shkrime në lidhje me Raportin Dick Marty. [“Stuhia dhe grepi i peshkatarit”, 28 dhjetor 2010, “Konfuzioni diplomatik i Kosovës në arenën ndërkombëtare”, 4 janar 2011, dhe “Rreth Thaçit po zhvillohen ngjarje të mëdha”, 11 Janar 2011]. Në ato tri shkrime kisha tërhequr vërejtjen për prapaskenën e atij raporti dhe për rrezikun që mund t’i vjen Kosovës nga ai. Kisha thënë se Kosova ka me ja pa sherrin atij raporti për një kohë të gjatë. Sepse, pata thënë, Dick Marti nuk është vetëm një Dick, e as raporti i tij nuk është vetëm raport. Pas tij qëndrojnë njerëz e shtete që s’ia donë të mirën Kosovës e as shqiptarëve. Për fat të keq, Kosova nuk bëri asgjë deri sa u detyrua ta votojë Gjykatën Speciale, kryesisht si rezultat i atij raporti, dhe jo vetëm.

Sa për ilustrim të kësaj që thashë më lartë, në paragrafin e fundit të shkrimit të tretë të datës 11 janar 2011, nën nëntitullin “Rrumbullakim ideor” kam thënë: Është koha të merremi me ide, më pak me ngjarje, ndërsa me persona le të merren të tjerët. “Dick Marty” është një proces i ndërlikuar i së ardhmes sonë. Raporti i tij do të duhej të ishte leksion i sfidave të realpolitikës kosovare si dhe adut i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Mënyra se si do të merremi me të, do të jetë një test tjetër i rëndë i ballafaqimit tonë si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tjetra, tri vite më parë kur ja nisi Serbia betejën për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës, politikanë me nam të Kosovës por jo të aftë sa duhet sa të kuptojnë thellësitë e filozofisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, dolën e thanë se një dukuri e tillë nuk ekziston në praktikat ndërkombëtare.  Të tillët nuk e kishin kuptuar faktin se kostelacionet “intime” dhe të interesave mes shteteve janë faktorë rrethanorë  të rëndësishëm që ndikojnë në politikëbërjet e shteteve karshi shteteve tjera.

Më herët, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe para saj, unë disa herë kisha vizituar Tajvanin, Saharanë Perëndimore dhe shtete tjera të cilat kanë pasur përvoja të hidhura me njohjet e tyre. Pata shkruar rreth atyre shteteve duke i pasqyruar me fakte e fotografi takimet e mia me zyrtarët më të lartë atje. Kryeministri i dikurshëm i Tajvanit në zyrën e tij më pati thënë se përveç përpjekjeve të mundimshme për njohje të reja, Tajvani po harxhon shumë mund e para për t’i ruajtur edhe njohjet që i kishin fituar. Tajvanin dhe Saharanë Perëndimore i kisha marrë si shembuj, që,  pa marrë parasysh çka thonin zyrtarët shtetërorë tek ne, ç’njohja e një shteti është praktikë që ka ndodhur edhe më parë.  Në lidhje me këtë problem, pata skicuar edhe Polisarion, për të tërhequr një paralele mes saj dhe UÇK-së sonë. Ani pse me shumë dallime mes vete.

Ka shumë shtete të cilat në fillim e kishin njohur Tajvanin dhe Saharanë Perëndimore, por me kalimin e kohës, për shkak të rrethanave në botë e sidomos për shkak të presioneve të Kinës për Tajvanin, e të Marokos, Mauritanisë e Algjerisë për Saharanë, shtete të ndryshme i kishin tërhequr njohjet. Ndër to edhe Shqipëria. Edhe për këto e disa të tjera atëbotë kam shkruar në të njëjtën të përditshme.

E treta, me 27 prill 2018, në një medium kosovarë pata botuar një shkrim tjetër me titull “Asociacioni i Komunave Serbe kancer për të ardhmen e Kosovës”. Për politikën kosovare në lidhje me asociacionin kisha shkruar se është tërësisht e gabueshme. E gabueshme deri në përmasa sa asociacionin e kisha quajtur, citoj: “Kancer për të ardhmen e Kosovës dhe barrë e rëndë për te derisa të jetë shtet i pavarur”. E këtë e pata argumentuar dhe ilustruar nëpërmes përvojave të shteteve që kishin qenë të detyruara apo që kishin pranuar asociacione të tilla. Thjeshtë, që e kishin varrosur me duart e veta sovranitetin e territoreve të shteteve të tyre.

Nëse për dy rastet e para ende nuk rastisa të lexojë nëse dikush i ka parë gabimet veta dhe ka pranuar se duhet filluar edhe një herë por me mençuri dhe për së mbari, për gabimin trashanik rreth asociacionit megjithatë dje lexova fjalë pishmanie. Ku për asociacionin ishin përdorur që njëjtat fjalë të cilat unë i kisha përdorur gjashtëmbëdhjetë muaj më parë. Kancer i Kosovës.

Dje, pra, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi që njihet si politikan i rryer dhe me perspektivë, në një intervistë të tij paskësh thënë, se po, Asociacioni i Komunave Serbe është kancer për Kosovën.

E unë shpresoj që kësaj radhe të mos jetë bërë vonë. Shpresoj të mos i ketë skaduar afati i mundësisë për përmirësimin e këtij gabimi, sikur të tjerëve më parë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit