
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Pas takimit njohës në konferencën e përbashkët, ambasadori Kosnett, ka kujtuar se edhe para 15 viteve, ai ishte pjesë e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ndërkaq tani është kthyer përsëri në cilësinë e ambasadorit. Ai, ndër të tjera tha se është fat për të të punojë në Kosovë.
“Është nder i madh për mua. Unë isha pjesë e ambasadës amerikanë në Kosovë edhe para 15 viteve ku kam shërbyer për popullin tuaj. Është fat që jam sot këtu dhe që do të vazhdojë të punojë për këtë vend”, deklaroi ambasadori Kosnett.
Ndërkaq, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj SHBA-ve, për mbështetjen e fuqishme për shtetin e Kosovës, kurse ambasadorit i uroi mirëseardhje ku i premtoi mbështetje në angazhimet për agjendën e koordinuar për hecje përpara.
“Unë kisha kënaqësi që javën e kaluar të takohesha me dy ambasadorë dhe të marr pjesë në betimin e ambasadorit. Jam mirënjohës në deklaratat për Kosovën, është njëri me fat që do të shërbej me popullatën më pro-amerikane në botë. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në tri dekadat e fundit. Pres me padurim të fillojmë angazhimet e përbashëkta me një agjendë të koordinuar në fqinjësi të mirë, zhvillimin ekonomik, ligjin dhe rendin, një të ardhme euroatlantike dhe një drejtim të qartë për vendin”, u shpreh presidenti Thaçi.


