Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

Mos i humb

Një anije e mbushur me ushqim ka mbërritur të premten në bregdetin e Rripit të Gazës, raporton Reuters.

Dërgimi i kësaj anijeje me ndihma u bë për ta testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze.

Anija me gati 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një dok që po përgatitet në Gazë. Së shpejti pritet ta nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma.

Nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës, pasi agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave tek njerëzit në nevojë.

Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje. Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.

Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adëan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit