
Faza e dytë e bisedimeve të delegacioneve të nivelit të lartë nga Mianmari dhe përfaqësuesit e muslimanëve Rohingya në Bangladesh kanë përfunduar pa zgjidhje për të drejtën e shtetësisë.
“Ata (qeveria e Mianmarit) ende nuk janë pajtuar të ndryshojnë ligjin e diskutueshëm të vitit 1982 mbi Nënshtetësinë për të siguruar të drejtat e shtetësisë për Rohingyat dhe ata duan që ne të kthehemi si emigrantë të rinj ose të ardhur”, tha në kushte anonimiteti njëri nga 35 përfaqësuesve të muslimanëve Rohingya në dialog.
Dialogu dyditor mes delegacionit të Mianmarit, i udhëhequr nga Sekretarja e Përhershme e Punëve të Jashtme, U Myint Thu, dhe përfaqësuesve të muslimanëve Rohingya u mbajt në Bangladesh.
Takimi i ditës së parë që zgjati tre orë, përfundoi pa përparim. Dialogu vazhdoi të dielën për tre orë e gjysmë, por nuk u arrit ndonjë marrëveshje për të drejtën e shtetësisë.
“Ne nuk duam të jemi të pashpresë. Delegacioni i Mianmarit është i përkushtuar sërish të bisedojë me popullin Rohingya në Bangladesh rreth çështjeve në pritje pas konsultimeve me qeverinë e tyre”, tha Abul Kalam Azad për Anadolu Agency (AA), Komisioneri i Bangladeshit për Ndihmën e Refugjatëve dhe Riatdhesimin (RRRC).
Ai gjithashtu tha se delegacioni mbajti shënime për të gjitha kërkesat e muslimanëve Rohingya në takim. “Ata do të braktisin Bangladeshin dhe do të shkojnë në Mianmar sot për të diskutuar me liderët e tyre rreth kërkesave të Rohingya. Ata do të kthehen sërish për të vazhduar dialogun”.
Megjithatë, përfaqësuesit e muslimanëve Rohingya nuk janë të gatshëm të kthehen në shtetin e tyre pa fituar të drejtën e shtetësisë dhe garanci për sigurinë nën praninë e komunitetit ndërkombëtar.
“Delegacioni na ka siguruar se neve do të na ofrohet siguri dhe qasje tek lokacionet paraprake. UNFPA (Fondi i Popullatës i OKB-së) dhe UNDP (Programi Zhvillimor i OKB-së) po punojnë atje dhe ne do të jemi të sigurt atje”, thotë ai.
“Mirëpo, pa të drejtën e shtetësisë, garancitë e tilla nuk janë të mjaftueshme për ne që të kthehemi në Mianmar”, tha ai, duke shtuar se ekipi i Mianmarit propozoi që t’u japë muslimanëve Rohingya dokumente që do t’i identifikonte ata si emigrantë të rinj ose të ardhur.
“Nuk është asgjë e re për ne. Nëse pajtohemi me këtë propozim do të thotë që ne përsëri bien pre e autoriteteve të Myanmarit”, tha ai.
“Regjimi që ka kryer gjenocid”
Në ndërkohë, Nay San Lwin, koordinatorja e fushatës së grupit “Koalicioni i Lirë Rohingya” për AA deklaroi se: “Nëse Mianmari dëshiron t’i pranojë Rohingyat, ata i kanë hartat e fshatrave, fotografi të shtëpive dhe detajet e çdo familjeje. Ata mund të ndërtojnë gjithçka dhe të dërgojnë lista në Bangladesh për të kthyer njerëzit që kanë ikur nga fusha e vrasjes”.
Ai beson se përfaqësuesit e Mianmarit po e vizitojnë Bangladeshin për të zbutur presionin ndërkombëtar. “Nuk mendoj që do të fitojmë diçka nga dialogu me regjimin që ka kryer gjenocid. Regjimi ende nuk ka braktisur politikën e të bërit gjenocid kundër Rohingyave”, tha ai.
Bangladeshi dhe Mianmari nënshkruan një marrëveshje riatdhesimi më 23 nëntor të vitit 2017. Në nëntor të vitit të kaluar, riatdhesimi i parë i muslimanëve Rohingya u ndalua pasi refugjatët nuk deshën të kthehen në vendlindje, duke e vlerësuar si “të pasigurt” kthimin.
Sipas një studimi të kryer nga Instituti i Australisë për Politika Strategjike (ASPI), thuhet se Mianmari ka “përgatitje minimale” për të mbështetur një kthim të sigurt, me dinjitet dhe të qëndrueshëm të refugjatëve Rohingya që janë strehuar në Bangladesh.
Studimi ka përcaktuar statusin aktual të 392 vendbanimeve të muslimanëve Rohingya të identifikuara nga OKB-ja si të dëmtuara apo të shkatërruara gjatë shtypjes së vitit 2017 dhe ka gjetur se më shumë se 320 vendbanime nuk kanë shenja të rindërtimit.
Duke u bazuar në pamjet satelitore të mundësuara nga Programi Operacional i Aplikacioneve Satelitore të OKB-së, instituti pretendon se gjithashtu ka gjetur prova të reja të goditjeve deri në vitin 2019.
Populli i persekutuar
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.


