
Konferenca Mesdhetare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE) ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nga vende të ndryshme.
Turqia përfaqësohet në këtë konferencë nga Aylin Taşhan, drejtoreshë e përgjithshme në Ministrinë e Jashtme dhe ambasadori në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ndërsa pjesë e saj janë delegacione nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Italia, Sllovakia, Malta, Mali i Zi, Ukraina, Maroku, Jordania, Algjeria dhe vende të tjera.
– “Dëshirojmë të krijojmë një partneritet mesdhetar”
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë fjalës së tij në hapje të konferencës tha se teksa Shqipëria shikon drejt Evropës për të ardhmen e saj, historia, gjeografia dhe ekonomia e vendit ndikohen kryesisht nga Mesdheu.
Cakaj u shpreh se në fokus të konferencës, është përvoja 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut, duke u ndalur, sipas tij, në rëndësinë e dialogut, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim.
“Ne gjithashtu besojmë fuqimisht se siguria në Evropë dhe Mesdhe kërkon investime më të zgjuara në ekonomi dhe burime njerëzore. Gjenerimi i rritjes ekonomike dhe zhvillimi i mëtejshëm i burimeve njerëzore është një faktor thelbësor për ta bërë rajonin mesdhetar më të zhvilluar në vazhdim. Të gjithë ne nuk kursejmë asnjë përpjekje në shërbim të këtij qëllimi dhe një kauze të tillë”, u shpreh Cakaj.
Ai theksoi më tej se ekzistojnë një gamë e gjerë çështjesh, duke filluar nga lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm e deri te trajtimi i llojeve të ndryshme të kërcënimeve ndërkombëtare dhe sipas tij mund të bëhen ndryshime nëse punohet së bashku.
Cakaj theksoi se “Ne jemi partnerë me sfida të përbashkëta, prandaj, nuk kemi alternativë tjetër përveç se të ndërtojmë një vizion të përbashkët. Ne dëshirojmë të krijojmë një partneritet mesdhetar, i cili bazohet në parimet e përfshirjes më të thellë dhe përgjegjësive të përbashkëta”.
– “Kemi humbur një rast tjetër për një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, tha gjatë fjalës në konferencë se flukset masive të migracionit të paligjshëm rrisin rrezikun e terrorit.
Ministri hungarez, duke folur për çështjen e refugjatëve theksoi se “Është shumë e ligjshme që të gjitha kombet dhe të gjitha vendet të marrin parasysh interesin kombëtar. Nga këndvështrimi ynë, përgjigjja është përfundimisht se ne nuk duam që dyert e Turqisë të hapen drejt Evropës për 4 milionë migrantë shtesë. Sepse kjo do të krijonte një situatë që ndikon në sigurinë për Evropën. Dhe besoj se edhe një vend i vogël si Hungaria mund të bëjë ndryshime në këtë drejtim”.
“Siguria e Evropës fillon me stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Afrikës Veriore dhe situata e sigurisë dhe stabilitetit të Mesdheut ka një ndikim shumë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në sigurinë e të gjitha vendeve evropiane. Kjo është arsyeja pse unë do të doja të komentoja veriun e Afrikës, si Tunizinë, Marokun, Algjerinë dhe Egjiptin, për të theksuar ruajtjen e stabilitetit të tyre, mbrojtjen e kufijve të tyre, dhe duke punuar së bashku me ne evropianët”, u shpreh Szijjártó.
Në lidhje me vendimet e fundit të Bashkimit Evropian (BE), kryediplomati hungarez tha se “Kemi humbur një rast tjetër për të marrë një vendim për fillimin e bisedimeve të pranimit si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut. BE është përballur me sfida të jashtëzakonshme, por për fat të keq këto sfida e bënë BE-në të mbyllej dhe mendoj se mbyllja është një gabim strategjik, duhet ta kapërcejmë atë, e duhet ta zgjerojmë. Ne hungarezët do të vazhdojmë të argumentojmë në favor të zgjerimit të BE-së drejt pjesës tjetër të Ballkanit sepse kjo është në interesin tonë më të mirë dhe shpresojmë se nuk do të ketë më hipokrizi dhe standarde të dyfishta në këtë drejtim”.
Gjatë punimeve të konferencës një grup qytetarësh organizuan një protestë para ambienteve të hotelit ku mbahet aktiviteti kundër ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt. pasi pretendojnë se Borchardt ka fyer disa ditë më parë disa protestues në Tiranë.
Konferenca dyditore organizohet nga OSBE në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe në fokus të saj janë diskutimet për mënyrat për të çuar më tej sigurinë e përbashkët në Mesdhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të ndërsjellë, si dhe për çështjet kundër terrorizmit, roli i të rinjve në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit në Mesdhe, zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja ekonomike.


