Çernobilët e Kosovës

Mos i humb

Nën çatinë e një armiku të heshtur ishte strehuar Abiti në 1999-n, kur kishte ikur nga një hakmarrje e mundshme e popullatës shumicë të Kosovës, në sytë e të cilëve pas lufte druante se shihej si tradhtar dhe bashkëpunëtor i Serbisë, shtetit që kishte kryer mizori të mëdha kundër shqiptarëve.

Armiku i heshtur ishte plumbi, jo ai që del nga tyta, por që emetohej nga mbetjet e gjigantit metalurgjik “Trepça”.

Abiti është rom dhe atëkohë ishte 14 vjeç. Sikurse shumica e rreth 7 mijë kosovarëve që i përkisnin këtij komuniteti dhe e përbënin lagjen buzë Ibrit në qytetin më industrial që ka Kosova, Mitrovicë, edhe ai me familje e kishin kaluar lumin për të dalë në veriun që kontrollohej nga serbët. Pjesa më e madhe e lagjes së dikurshme, por edhe romë, ashkalinj e egjiptianë nga pjesë të tjera të vendit, ishin vendosur në tri kampe, që i kishte ngritur misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i vendosur në Kosovë menjëherë pas luftës, shkruan sot Koha Ditore.

“Kur na vendosën në kampin Zhitkoc në Zveçan, na thanë se do të qëndronim aty vetëm 40 ditë. Por, na mbajtën 6 vjet”, thotë Abiti. “Kemi qenë ngjit me piritin. Kur fryjke era, krejt vijke mbi neve. Kemi mendu që është vetëm pluhur, derisa vdiq një vajzë dhe thanë se i kanë gjetë plumb në gjak. U alarmun dhe bënë kontrolla te fëmijët. Krejt dolën me plumb”.

“Piriti”, për të cilin flet Abiti, ishte një kodër e ngritur nga deponimi i sterilit të Flotacionit të vjetër që ndodhet në Zveçan, qytezë disa kilometra në veri të Mitrovicës. Deponia masive është e shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 26 hektarësh dhe, sipas të dhënave zyrtare, përbëhet nga një sasi sterili rreth 12 milionë tonë. Përbërja kimike e sterilit në Zhitkovc është e ngjashme me sterilin e Zveçanit, e cila ndodhet afër Shkritores së Plumbit dhe fare pranë i rrjedh lumi Ibër. Deponia ka sipërfaqe rreth 50 hektarë, kurse sasia e deponuar llogaritet të jetë rreth 12 milionë tonë.

Kur në fillim të vitit 2004 një vajzë katërvjeçare që banonte në kampin e Zhitkocit vdiq si pasojë e prezencës së lartë të plumbit në gjak, aktivistë romë filluan të ngrinin zërin dhe të tërhiqnin vëmendjen e mediave dhe Qeverisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri matje për kontaminimin e zonës dhe tha se pjesa më e madhe e fëmijëve që jetonin në Zveçan dhe Mitrovicë ishin të pasigurt për shkak të kontaminimit me plumb. OBSH, Kryqi i Kuq dhe Amnesty International i bënë thirrje UNMIK-ut të evakuonte fëmijët dhe gratë shtatzëna nga kampi. Por, evakuimi nuk u bë menjëherë.

“Deri në vitin 2006 kemi qëndruar aty”, thotë Abiti, i cili nga viti 2010 jeton në një lagje në jug të Mitrovicës, në të cilën janë ndërtuar shtëpi për të zhvendosurit e dy dekadave më parë.

Në Zveçan ndodhen vetëm disa nga deponitë e “Trepçës”. E “Trepça” nuk është i vetmi ndotës i madh industrial që ka Kosova. Në mesin e tyre është edhe “Ferronikeli”, që ndodhet në Komunën e Drenasit, e edhe “SharrCemi” në Han të Elezit. Krahas tyre, edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që shtrihet në Komunën e Obiliqit, por nga ndotja e së cilës është i prekur edhe kryeqyteti.

Një raport i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) ka gjetur se në Kosovë janë 110 “hot-spote”, zona të ndotura të cilat janë krijuar si rezultat i veprimtarive të ndryshme ekonomike. Prej këtyre, 28 sosh janë klasifikuar si lokacione “tejet të rrezikshme”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit