Çfarë po ndodh në Tiranë, 25-vjeçari kapet në timon nën efektin e drogës

Mos i humb

Vetën një ditë pas aksidentit të frikshëm në rrugën e Kavajës, ku një i droguar me  makinë luksoze  me shpejtësi  përplasi në rrugë çiftin Arjan dhe Vilma Konomi së bashku me foshnjën e tyre 3-muajshe një tjetër shofer është kapur në timon  nën efektin e lëndëve narkotike, njofton policia.

Për pasojë i riu është arrestuar nga policia rrugore e Tiranës.

Njoftimi i policisë

Policia Rrugore e Tiranës vë në pranga një tjetër shtetas që drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

Shkon në 12 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.

Nisur nga sjelljet agresive të drejtuesve të mjeteve, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar testet e drogës për drejtuesit e mjeteve që shfaqin sjellje agresive në rrugë dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë.

Si rezultat i kontrolleve intensive, gjatë mbrëmjes së djeshme, në Kombinat, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve intensive janë testuar dhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive, por pas testimit me aparatin drogë-testues nuk kanë rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, sepse Policia Rrugore e Tiranës është e vendosur për të ndëshkuar cilindo drejtues automjeti që do të konstatohet në shkelje, nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat tashmë kanë mjete logjistike bashkëkohore në dispozicion.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit