DASH kritikon koncesionet. Raporti për Shqipërinë: Vend i vështirë për biznes

Mos i humb

 

Një raport i Departamentit të Shtetit citon investitorët e huaj, sipas të cilëve Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

 Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.

“Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”, thuhet në raport.

Investitorët, thotë raporti që citon Zëri i Amerikës, ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.

Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, thuhet aty, ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit. Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim.

Raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme, thuhet në dokument. Duke trajtuar çështjen e kontratave te partneritetit publik privat në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

Sipas raportit të DASH, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave vazhdojnë të jenë shqetësim. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017, thuhet në raport, qe thekson se tjeter sfide mbetet ceshtja e prones.

Sipas raportit, energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudhat, minierat dhe teknologjia e informacionit përfaqësojnë perspektivën më të mirë për investimet e huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit