“Deklaratat arbitrare dhe të nxituara të BE-së, një fatkeqësi e madhe”

Mos i humb

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, lidhur me deklaratat e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Frans Timmermans për rezultatet e zgjedhjeve lokale në Turqi tha se “Deklaratat arbitrare dhe të nxituara të zyrtarëve të BE-së pa respektuar procesin ligjor kanë qenë një fatkeqësi e madhe”.

Zëdhënësi Aksoy në një përgjigje me shkrim tha se deklaratat e Timmermans i ka pritur me zhgënjim dhe habi. Aksoy ka vënë theksin se populli turk shkoi në votime me një përqindje të lartë në zgjedhjet lokale dhe konfirmoi përkushtimin ndaj demokracisë.

“Mesazhi i kombit tonë në kutitë e votimit është një reflektim i besimit dhe mbështetjes për vazhdimin e stabilitetit dhe sigurisë në Turqi”, tha Aksoy.

Ai tha se “Pavarësisht kësaj, thirrjet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për të njohur rezultatet në disa vende, edhe pse rezultatet zyrtare nuk janë shpallur, janë regjistruar si një gafë fatkeqe. Në kuadrin ligjor, pritja e rezultateve të kundërshtimeve dhe aplikimeve të parashtruara në prani të Këshillit të Lartë Zgjedhor dhe këshillave provinciale dhe komunale është një nevojë e respektimit të ligjit”.

“Për këtë arsye, këto deklarata përbëjnë një shembull tjetër të standardeve të dyfishta të BE-së, e cila kohët e fundit vendoset gjithmonë e më shumë në pikëpyetje në drejtim të angazhimit ndaj vlerave demokratike dhe ligjore. Përkushtimi i kombit tonë ndaj demokracisë u konfirmua edhe një herë në zgjedhjet lokale të 31 marsit. Kanë qenë një fatkeqësi e madhe deklaratat arbitrare dhe të nxituara pa respektuar procesin ligjor nga zyrtarët e BE-së në një kohë që përkushtimi ynë ndaj reformës ishte i qartë”, tha Aksoy.

“Ne i ftojmë zyrtarët e BE-së që të mos i dëmtojnë vlerat demokratike dhe ligjore të përfaqësuara nga BE-ja për entuziazmin dhe preferencat e tyre politike”, deklaroi Aksoy në përgjigjen e tij me shkrim në lidhje me deklaratat e Timmermans i cili në një vlerësim për rezultatet e zgjedhjeve lokale në Turqi bëri thirrje për ndjekjen e parimeve demokratike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit