Shtyhet sërish seanca në Apel për deputetin Ervin Salianji në lidhje me çështjen Babale.
Seanca e radhës do të mbahet me 12 qershor në orën 10:30.
Salianji paraqiti një kërkesë për shtyrje të gjyqit për shkak të një udhëtimi pune në Indonezi.
Herën e kaluar, seanca u shty pasi avokati i gazetarit Jetmir Olldashi pretendoi se kishte probleme shëndetësore.
“Shkak ka qenë fillimisht një kërkesë e deputetit Salianji ku i ka depozituar gjykatës një kërkesë në lidhje me një udhëtim si pjesë e delegacionit të kuvendit në Indonezi për datën që përfshinte ditën e sotme dhe tre ditë të tjera.
Gjithashtu avokati i tij i ka treguar gjykatës se deputeti ka qenë i interesuar në cdo seancë që të jetë prezent në procesin që po mbahet dhe për këtë ka kërkuar që të merret parasysh kjo kërkesë.
Nisur nga kjo, një nga anëtarët e trupit gjykues nuk ishte prezent dhe ka kërkuar që seanca të mbahet në orën 14:00. Por më pas avokatët mbrojtës të deputetit dhe i Jetmir Oldashit kanë relatuar se në orën 14:00 e kishin të pamundur vijiueshmërinë e seancës dhe për këtë gjykata vendosi më pas shtyrjen e seancës.”, raportoi gazetari Ermal Vija.
Kujtojmë që Salianji u dënua nga Shkalla e Parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë lidhur me çështjen “Babale”, teksa Apeli do të vendosë pas më shumë se 3 vitesh.
Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.
Nëse do lihet në fuqi vendimi, atëherë do kemi dënimin me burg të një deputeti. Autori i audio-përgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove.