Federalizmi republikan midis Shqipërisë dhe Kosovës! Nga: Abdullah Klinaku

Mos i humb

Shkruan: Abdullah Klinaku

Kosova po kalon në kohën më të ndjeshme të saj politike, sociale, institucionale, ekonomike dhe diplomatike, që nga shpallja e pavarësisë. Çdo ditë të e më shumë po rriten pakënaqësitë sociale, po thellohet kriza politike, po de-funksionalizohen institucionet dhe po polarizohet shoqëria jonë. Bisedimet me Serbinë, kanë hyrë në fazën më të pa qartë dhe më të pa favorshme për vendin tonë. Partitë politike, janë ngatërruar pas pushtetit dhe pas projekteve partikulare të zgjidhjes sonë shtetërore dhe kombëtare.

Në të njëjtën kohë edhe Shqipëria, është duke u përpëlitur në pakënaqësi të mëdha. Shoqëria shqiptare është ngulfatur në gjendjen e rëndë sociale e ekonomike karshi një pushteti të pasur e të pangopshëm. Pushteti është shndërruar instrument i mafies e populli është shndërruar në “gjah” i pushtetit. Politika e Tiranës, përveç varfërisë, kriminalitetit, mafies dhe papersketivës, shqiptarëve po u ofron edhe dilemat e mëdha kombëtare. Kriza me Greqinë dhe raporti i saj karshi dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, e ka shndërruar qeverinë e Tiranës në një qeveri që ka cenuar shpresat kombëtare të shqiptarëve.

Gjendja e rëndë ekonomike e dy vendeve tona, kriza e brendshme politike, qarkullimi tregtar i vogël, prodhimi i reduktuar, tregu i kufizuar, sistemi arsimor e fragmentarizuar, sistemi shëndetësor larg standardeve profesionale, gjendja sociale e rënduar dhe raportet jo të mira me fqinjët serb e grek si rezultat i pretendimeve të tyre territoriale, duhet të jetë themeli që nxit domosdo krijimin e një platforme nacionale.

Një platformë politike nacionale, gjithëpërfshirëse dhe unifikuese, për herë të parë shqiptarëve do t’ua përmbushte ëndrrën shekullore dhe do të realizonte domosdoshmërinë bashkëkohore. Përmes kësaj platforme çështja kombëtare do të faktorizonte dy vendet tona, krahas aleatëve tonë dhe do të rriste kapacitetin tonë për të qenë ofrues të paqes në këtë pjesë të Evropës.

Republika federale shqiptare, besoj se duhet të jetë synimi i kësaj platforme. Përmes federalizmit shqiptarët do të arrinin bashkimin dhe do të respektonin realitetin politik dhe gjeostrategjik të kohë së sotshme. Republika federale shqiptare, do të përbëhej nga dy shtete të cilat do të përfshinin afër 5 milion banorë dhe rreth 39.656 km2. Kjo do të ndikonte në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investitorëve, rritjen e prodhimit, nevojat më të mëdha për konsum dhe qarkullim të lirë detar, tokësor e ajror të njerëzve dhe mallrave.

Një republikë federale e shqiptarëve, do të duhej të kishte një përfaqësim ndërkombëtar, një flamur, një pasaportë, një ushtri dhe një kongres. Ndërsa mund të ketë, dy kuvende vendore, buxhet të përpjesëtuar, polici të integruar, sistem gjyqësor të veçantë, gjykatën kushtetuese, gjykatën supreme dhe sektor të tjerë të cilët përmes një decentralizimi do të shtonin funksionalitetin federal.

Shqipëria dhe Kosova, për të dal nga kjo katrahurë besoj se e kanë një rrugë, e kjo rrugë është ndryshimi esencial dhe substancial i trendit politik të deri tanishëm. Përmes së cilit Shqipëria dhe Kosova do të ishin një shtet federal që do ti shërbente popullit të vet, paqes në Ballkan dhe partneritetit strategjik me aleatët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit