FINANCIMI I QENDRAVE ISLAME NË PERËNDIM ME SADEKATU-L-FITR?

Mos i humb

FINANCIMI I QENDRAVE ISLAME NË PERËNDIM ME SADEKATU-L-FITR?

1  PYETJA: Qendrat islame në Perëndim, për çdo vit bëjnë grumbullimin e Sadekatu-l-Fitrit, por marrë paraysh se të paktë janë ata të cilët i takojnë kategorisë së të varfërve dhe skamnorëve (fekir ve miskin) në Evropë, shumë njerëz Sadekatu-l-Fitrin e dërgojnë në vendet e origjinës prej nga kanë emigruar, apo në vende tjera të varfëra. Nga ana tjetër, për shkak Pandemisë Covid-19, disa qendra  islame në Evropë ballafaqohen me krizë të madhe financiare, e cila e rrezikon edhe ekzistimin e tyre. Së këtejmi, a lejohet që qendrat islame në Evropë të financohen, në këto rrethana emergjente, edhe nga mjetet e Sadekatu-l-Fitrit?   

PËRGJIGJJA: Vetëm shkolla juridike Malikite, imam Ahmedi sipas një transmetimi të përcjellur prej tij, të cilin qëndrim e ka përzgjedhur edhe Ibn Tejmijje, mbajnë qëndrimin se Sadekatu-l-Fitri u jepet ekskluzivisht vetëm të varfërve dhe skamnorëve, por jo edhe grupeve tjera të cilëve u takon Zeqati.

Sadekatu-l-Fitri u jepet të varfërve dhe skamnorëve që të kenë ushqim ditën e Bajramit. Nëse në vendin ku banon personi i cili e jep Sadekatu-l-Fitrin, nuk ka të varfër, atëherë Sadekatu-l-Fitrin e transferon në vendin më të afërt. Ky mendim është më adekuat në drejtim të realizimit të synimit të Sadekatu-l-Fitrit, e që është plotësimi i nevojave ushqimore të të varfërve ditën e Bajramit.   

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese e juristëve islamë (xhumhuru-l-fukaha) janë të mendimit se lejohet që Sadekatu-l-Fitri t’u ndahet tetë grupeve të cilëve u takon Zeqati.2  Ndërkaq, sipas Ibn Hazmit dhe sipas mendimit të popullarizuar të shkollës juridike Shafi’ite, është obligim (vuxhub) që Sadekatu-l-Fitri të destinohet për grupet të cilëve u takon Zeqati.   

Në rrethana të Pandemisë Covid-19 dhe marrë parasysh nevojat imediate të qendrave islame në Perëndim për mbështetje financiare, pas dëmtimit financiar që u ndodhi si rezultat i Pandemisë Covid-19, unë përzgjedhi qëndrimin se lejohet të bëhet financimi i qendrave islame nga mjetet e Sadekatu-l-Fitrit, por pasi t’i kenë plotësuar nevojat e të varfërve në vendin ku është prezent personi i cili e jep Sadekatu-l-Fitrin. Ky është qëndrimi im për rastin në fjalë, për disa shkaqe:

1-Në parim, nuk lejohet transferimi i Zeqatit dhe Sadekatu-l-Fitrit nga vendi ku është prezent personi i cili e jep atë, përpos se kur nuk ka persona nga grupet të cilëve u takon Zeqati, që të mund t’u jepet atyre, si dhe të ekzistojë nevojë reale që Zeqati dhe Sadekatu-l-Fitri të transferohen jashtë vendit ku është prezent personi i cili e jep Zeqatin dhe Sadekatu-l-Fitrin. Ky qëndrim bazohet në thënien e të Dërguarit të Allahut për Zeqatin:”Merret prej të pasurve të tyre, dhe u jepet të varfërve të tyre”.

2-Ky qëndrim bazohet në nevojën e qendrave islame në Perëndim për mbështetje financiare, në veçanti pas Pandemisë Covid-19, si dhe mos ekzistimin e resurseve financiare të qëndrueshme dhe konstante, gjë që e rrezikon ekzistimin e tyre dhe i pengon aktivitetet e tyre, ndërkaq këto qendra islame bëjnë pjesë në kategorinë e Zeqatit “fi sebililah”(në rrugë të Allahut), “muel-lefeti kulubuhum”(për afrimin e tjerëve), “el-garimin”(të ngarkuar me borxhe), “ibnu es-sebil” (udhëtari), “amiline alejha”(personat e angazhuar me autorizim përkatës për grumbullimin e Zeqatit dhe Sadekatu-l-Fitrit.

3-Mendimi i pjesës dërrmuese të dijetarëve se lejohet që të destinohet Sadekatu-l-Fitri për grupet të cilëve u takon Zeqati, si dhe mendimi i Shafiut se obligohet destinimi i Sadekatu-l-Fitrit për grupet të cilëve u takon Zeqati, është mendim respektabil, ndërkaq të vepruarit sipas këtij mendimi është i arsyeshëm, në rast nevoje, dhe në rast se kontribuon në realizimin e interesit konkret, gjë që në këtë rast është realitet dhe i pritshëm.

4-Kjo fetva-mendim nuk bie ndesh me qëllimin esencial të Sadekatu-l-Fitrit e që është:Plotësimi i nevojave ushqimore të të varfërve në ditën e Bajramit, ngase financimi i qendrave islame do të bëhet vetëm pas plotësimit të nevojave të të varfërve në vendin përkatës, nëse ka të tillë.

5-Përzgjedhjet e mendimeve juridike islame në Perëndim duhet të shkojnë në drejtim të mbështetjes së autoktonisë së Islamit dhe komunitetit musliman në përgjithësi në Evropë, forcimin e institucioneve, mbrojtjen e tyre nga shembja dhe mbyllja dhe realizimi i të qenit qytetar dhe shtetas konstruktiv evropian. Këtë e mbështet kjo fetva.

6-Sistemi social i shtetit, në këto vende, e siguron minimumin e nevojave jetësore të çdo qytetari i cili banon legalisht në atë vend, gjë që e ul ndjeshëm përqindjen e të varfërve dhe nevojtarëve për Sadekatu-l-Fitr në Perëndim.   Dr.Halid Hanefij, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, dhe Kryetar i Komisionit pët Fetva në Gjermani, njëherit edhe dekan i Fakultetit Evropian për Shkenca Humane-Gjermani.

1-Në frymë të kësaj fetvaje ka qenë edhe vendimi i grumbullimit të Zeqatit dhe Sadekatu-l-Fitrit në fondin e institucioneve fetare islame në ish Republikat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, nga ana e Kryesisë Supreme të Bashkësisë Islame të RSFJ-së.

Ky vendim është bazuar në nevojën jetike të mirëmbajtjes së institucioneve fetare islame në vendet të cilat atëbotë ishin nën federatën jugosllave, në veçanti institucionet arsimore, siç janë Medresetë dhe fakultet teologjike islame, si dhe në konsiderimin e institucionit të Bashkësisë Islame, person juridik të varfër, ngase nuk ka patur mbështetje nga institucionet shtetëtore, dhe si i tillë, ka qenë më meritori për Zeqatin dhe Sadekatu-l-Fitrin, dhe vazhdimësia e funksionimit të institucioneve fetare, nëse jo e pamundur, ka qenë shumë rëndë pa grumbullimin e Zeqatit dhe Sadekatu-l-Fitrit në fondin e këtyre institucioneve.

Kjo fetva niset nga nevojat e qendrave islame në Evropë dhe gjetiu, si rezultat i Pandemisë Covid-19, ndërkaq vendimi i institucioneve të atëhershme të BI në ish RSFJ, ka qenë si rezultat i një Pandemie edhe më të keqe, asaj të komunizimit i cili i ka luftuar sistematikisht institucionet fetare. Mirëpo, nevojat e institucioneve fetare islame në trojet shqiptare në Ballkan, vazhdojnë të hasin në vështirësi financiare edhe në ditët e sotme, ngase akoma nuk kanë mbështetje shtetërore, në veçanti institucionet arsimore. Këtu mund të ketë përjashtime të caktuara, si p.sh., në Republikën e Kosovës ku medresetë janë pjesë e  sistemit arsimor të shtetit, megjithatë, kjo nuk zgjidh çdo problem të tyre financiar.

Nisur nga kjo, muslimanët shqiptarë në mërgim, duhet të mos e përjashtojnë nevojën e institucioneve arsimore islame në trojet shqiptare gjatë leximit të kësaj fetvaje, dhe kur të vendosin ta japin Zeqatin dhe Sadekatu-l-Fitrin, duhet ta kenë parasysh mos dëmtohen institucionet arsimore fetare islame në trojet shqiuptare..

Kjo fetva është me vend nga këndvështrimi i autorit, ngase u drejtohet muslimanëve në Perëndim në përgjithësi, e jo vetëm muslimanëve shqiptarë. Por, në vendet me shumicë muslimane, si: Turqia, shtetet arabe, Pakistani etj., institucionet fetare islame dhe institucionet arsimore islame, në veçanti, kanë mbështetje financiare shtetëtore, ashtu që nuk kanë nevojë për Sadekatu-l-Fitrin, gjë që nuk është rast me institucionet fetare islame në përgjithësi dhe institucionet arsimore islame, për momentin, në trojet shqiptare, në veçanti. Së këtejmi, apelojmë që kjo fetva mos të kuptohet në atë mënyrë që do t’i dëmtonte financiarisht institucionet arsimore islame në trojet shqiptare, ku muslimanët shqiptarë të diasporës, i dedikojnë kryesisht Zeqatin dhe Sadekatu-l-Fitrin.

Po ashtu, kjo duhet të jetë një shtytje shtesë që institucionet fetare islame në vendlindje, të vazhdojnë në kërkimin e alternativave të qëndrueshme të burimeve financiare, ngase zhvillimet në diasporë, me lindjen e gjeneratave të reja të muslimanëve shqiptarë në Perëndim,  po edhe muslimanëve të etniteteve tjera, do të diktojnë zhvillime të reja në drejtim të organizimit të jetës dhe institucioneve fetare islame të sferave të ndryshme në Perëndim, gjë që do të ketë impakt edhe në vëllimin e transferit të mjeteve financiare në vendlindje (B.A.).

2-Në librin e autorit AbdulHamid Mahmud Tuhmaz, Fikhu Hanefi, vëll.I, fq.456, në lidhje me grupet të cilëve u takon Sadekatu-l-Fitri, thuhet:”Ajo që është me rëndësi të theksohet është që të gjitha këto kategori të shfrytëzuesve të zekatit, që janë përmendur më sipër, janë të njejta edhe te Sadekatu-l-Fitri” (B.A.).

Prej arabishtes:Bashkim Aliu

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit