Gjermani, zgjidhet ngërçi. SPD voton pro koalicionit me Merkelin

Mos i humb

Më në fund, Kancelarja gjermane Angela Merkel do të formojë qeverinë e saj të katërt, pasi socialdemokratët votuan në favor të një tjetër koalicioni të madh. Votimi i 464 mijë anëtarëve të partisë i jep fund ngërçit 5-mujor, që pasoi zgjedhjet e muajit shtator.

Socialdemokratët kanë qenë të ndarë mes udhëheqësisë së partisë, që mbështeste hyrjen në koalicion, dhe krahut të ri radikal, që ishte kundër. Por në fund, 66 për qind e anëtarëve të SPD-së votuan pro koalicionit me Merkelin, e cila është në pushtet prej 12 vitesh.

Numërimi i votave vazhdoi përgjatë të gjithë natës në selinë qendrore të partisë, në Berlin.

“Tani është gjithçka e qartë. SPD-ja do të jetë pjesë e qeverisë së re”, ishin fjalët e udhëheqësit të përkohshëm të socialdemokratëve, Olaf Scholz. Volker Bouffier, një përfaqësues i lartë i partisë, e cilësoi këtë si një ditë të mirë për popullin gjerman dhe të ardhmen e Gjermanisë.

Kancelarja përballet tani me një sërë sfidash, përfshirë opozitën e fortë nga nacionalistët e “Alternativës për Gjermaninë”. Partia kundër emigrantëve hyri në Parlamentin federal për herë të parë në muajin shtator, me mbi 12 për qind të votave, e tani përfaqëson grupin më të madh opozitar.

SPD-ja vuajti rezultatet më të këqija në historinë e saj dhe shumë fajësuan koalicionin me kristiandemokratët e Merkelit për performancën e dobët.

Merkel, e cila humbi 65 vende në Parlament u përpoq të krijonte një aleancë me “demokratët e lirë” dhe “të gjelbrit”. Ajo u detyrua të paguajë një çmim të lartë për vazhdimin e koalicionit ekzistues, duke iu dhënë socialdemokratëve postin e ministrit të Financave.

Zgjidhja e pasigurive, përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të reja, i jep një frymëmarrje lehtësimi institucioneve europiane, ku Gjermania është vendi me ndikimin më të madh.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit