Hong Kong, protesta pavarësisht tërheqjes së projektligjit të ekstradimit

Mos i humb

Protestat në Rajonin Special Administrativ të Hong Kongut, vazhdojnë pavarësisht vendimit të qeverisë për të tërheqë projektligjin e ekstradimit në Kinë, i cili nga fillimi i muajit qershor ka shkaktuar protesta masive antiqeveritare.

Protestuesit të cilët e shohin pamjaftueshëm këtë vendim të lideres së rajonit Carrie Lam, vazhdojnë demonstratat e tyre me kërkesën që të gjitha kërkesat të përmbushen.

Zyrtarët parandaluan tentativat e protestuesve që dëshironin të protestojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, duke rritur kontrollet në të gjitha rrugët që çojnë në aeroport.

Policia ka arrestuar personat, në çantat e të cilave ka gjetur maska, në autobusët që shkonin në aeroport, ndërsa janë pakësuar udhëtimet e trenave të shpejtë drejt aeroportit.

Ndërkohë, policia lejon vetëm hyrjen e pasagjerëve që kanë biletë avioni në aeroport.

Sipas lajmit të South China Morning Post, shumë protestues që nuk kanë mundur të shkojnë në aeroport, protestat i zhvillojnë në shumë vende të qytetit përfshirë qendra tregtare, stacione policie dhe stacione hekurudhore.

Qeveria e Rajonit Special Administrativ të Hong Kongut më 4 shtator kishte njoftuar se do të tërheqë projektligjin e ekstradimit në Kinë.

– Projektligji për ekstradim në Kinë

Hong Kongu u bë skenë protestash të paprecedentë që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinë.

Projektligji që parashikonte ekstradimin në Kinë, rajonin special Macao dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka pretendime akuzuese në Hong Kong, u paraqit në parlament më 3 prill.

Pavarësisht se projektligji përjashton krimet politike, në Hong Kongun me popullsi prej 7,4 milionë banorësh, shumica e popullatës ndante shqetësimin se njerëzit do t’i nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore dhe madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.

Opozitarët kanë shprehur shqetësime se nëse ligji miratohet, ai do të rezultojë që Kina të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong Kong.

Thirrjet e protestuesve më pas u zhvendosën në kërkesa më të mëdha pro-demokratike.

Hong Kongu është rajon autonom i Kinës nën formulën “Një vend, dy sisteme” që nga 1 korriku i vitit 1997, kur Britania ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit