Jeffrey: Zgjidhje e patjetërsueshme politike për Idlibin

Mos i humb

I dërguari special i SHBA-së për Sirinë, James Jeffrey ka thënë se është e domosdoshme një zgjidhje politike për Idlibin e Sirisë nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara (OKB)

Të organizuar nga Zyra turke për Komunikim, në Stamboll filloi “Konferenca Ndërkombëtare për Idlibin”.

Një nga panelistët në temën: “Çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat për të adresuar problemet në Idlib”, ishte Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Sirinë Jeffrey.

Ai me këtë rast konfirmoi se ishin në solidaritet me popullatën e Idlibit por edhe me popullin sirian në përgjithësi.

Jeffrey kujtoi se në Idlib jetojnë rreth 3 milionë njerëz.

“Këta njerëz jetojnë në kushte shumë të vështira në Idlib. Ata janë të ekspozuar ndaj presioneve të regjimit të Asadit. Regjimi i Asadit edhe një herë tregoi se nuk interesohet për qytetarët. Po kryhen sulme të tmerrshme ndaj civilëve. Kjo nuk paraqet vetëm qëndrimin e administratës amerikane. Në të njëjtën kohë, ne e shohim këtë edhe nga raportet që kanë përgatitur organizatat e pavarura rreth Sirisë. Këto pikëpamje u shprehën edhe në raportet e paraqitura tek zyrtarët e OKB-së”, tha Jeffrey.

Ai rikujtoi se solidariteti me Idlibin gjithashtu luan një rol kyç, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndihmën humanitare.

“Ka një krizë të paprecedentë humanitare në skenë në Idlib. Ndoshta kriza më e madhe humanitare e shekullit 21”, tha Jeffrey.

I dërguari special deklaroi se të njëjtin mendim ndan edhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Por, kjo nuk është vetëm një krizë humanitare. Për shembull, ne më herët pamë se edhe armët kimike janë përdorur gjithashtu. Përdorimi i armëve kimike në Siri nuk është vetëm një shkelje e rezolutave të OKB-së dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo është diçka që shkon përtej përdorimit të armëve të shkatërrimit global”, tha Jeffrey.

Sipas tij, hapat e ndërmarrë nga Rusia dhe Irani kanë arritur në një fazë vendimtare.

Jeffrey tha se në vitet 1930 pati situata që ishin një sfidë e madhe për bashkësinë ndërkombëtare, duke përmendur shembuj si Detin e Kinës Jugore dhe Krimenë.

“Por, ajo që po ndodh në Idlib është një sfidë për sistemin ndërkombëtar. Kjo gjendje prek shumë vende. Ka një numër vendesh të cilat, hapur ose fshehurazi janë përfshirë në këtë proces. Ne e dimë se cili është roli i Turqisë. Dhe, të gjithë e dimë se kush janë ata. Rusia, Irani, Hezbollahu i Libanit, forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA”, tha Jeffrey.

Ai rikujtoi një seri operacionesh që po kryhen, përfshirë ato të kryera nga forcat ajrore izraelite kundër Iranit.

“Në të njëjtën kohë, ekziston një konflikt midis këtyre forcave. Mundësia e një konflikti midis Turqisë dhe Rusisë është gjithashtu shumë i lartë. Për shkak të kësaj, ekziston gjithashtu një rrezik serioz për rendin ndërkombëtar”, tha Jeffrey.

I dërguari special potencoi se Turqia, e cila është një vend fqinj me Sirinë, ka një numër përgjegjësish kur bëhet fjalë për sigurinë.

“Përgjegjësi të ngjajshme kanë edhe vendet e tjera fqinje të Turqisë. Në të njëjtën kohë, përgjegjësi ka edhe SHBA, bota arabe, Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO. Ne dëshirojmë që të gjitha këto vende të përfshihen dhe të marrin përgjegjësi. Ne duam një zgjidhje politike nën udhëheqjen e OKB-së. Ne nuk pranojmë zgjidhje ushtarake. Të gjithë e dimë se çfarë po bën shteti sirian së bashku me Rusinë dhe Iranin. Duhet të vazhdojmë të veprojmë me shpejtësi në të gjitha nivelet”, tha Jeffrey.

Ai theksoi se është në kontakt me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit