
Në një intervistë për “Radio France International”, Presidenti Ilir Meta, ka folur për integrimin e vendit dhe veton e Francës për nisjen e bisedimeve më 18 tetor.
I pyetur se çfarë mbetet për t’u bërë nga pala shqiptare, pasi Franca vuri “veton” për hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian, Meta tha se Franca dhe Gjermania kanë qenë shtyllat kryesore të BE që nga krijimi i saj dhe kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe tani janë duke hedhur themelet për të ardhmen e Europës përballë shumë sfidave.
“Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj.
Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj. Ju e dini, gjeografikisht, Shqipëria dhe Ballkani janë në qendër të Europës.
Ndaj, politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e BE-së. Edhe pse në tetor, Franca e deklaroi veten “jo në favor” për nisjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE”, tha Meta.


