Jupi: Kampi-Burg i Spaçit të shpallet Muze Kombëtar

Mos i humb

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Taulanda Jupi u shpreh sot se, PD ka 2 vite që ka propozuar projektligjin për shpalljen Muze Kombëtar të “Kampit të Punës së Detyruar të të Burgosurve Spaç” dhe “Kampi i Internimit të Tepelenës”, ndërsa qeveria ende nuk ka një vendimmarrje.

“Partia Demokratike, jo vetëm si një detyrim politik, por mbi të gjitha si një detyrim moral që e gjithë shoqëria duhet të reflektojë ndaj vuajtjes dhe sakrificës së mijëra viktimave të regjimit komunist dhe familjeve të tyre, ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë që prej datës 30.06.2022 projektligjin  për shpalljen Muze Kombëtar të “Kampi i Punës së Detyruar të Burgosurve të Spaçit” dhe “Kampi i Internimit të Tepelenës””, shtoi Jupi.

“Prej dy vitesh, qeveria nuk ka asnjë vendimmarrje mbi këtë projektligj, ndërkohë që prej disa ditësh Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit  ka publikuar për konsultim publik me qytetarët “Planin e Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit””, nënvizoi Jupi.

“Me shqetësim konstatojmë se “Plani i Menaxhimit për ish-Burgun e Spaçit”, parashikon ndërtimin e një muzeu të vogël në Reps, vendndodhje gjeografike rreth 7.5 km larg Kampit-Burg të Spaçit. Ky plan për të ndërtuar muzeun larg vendit të memories do ta shndërrojë burgun e Spaçit në një aneks dhe një sit plotësues të muzeut të Repsit, duke shkaktuar humbjen graduale të interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike, si një vend memorie e dëshmisë së gjallë, si një moment reflektimi dhe përballje emocionale me të vërtetën, e për rrjedhojë degradimin e plotë të tij në harkun e pak viteve”, u shpreh Jupi.

Ajo shtoi se, “PD mbetet e vendosur në propozimin dhe rikonfirmon qëndrimin e saj se Kampi-Burg i Spacit duhet të shpallet Muze Kombëtar, dhe pikërisht në Spaç të ndërtohet një muze i mbështetur dhe financuar nga shteti shqiptar me vetëdijen se mund dhe duhet të kujdesemi për memorien tonë historike si dëshmi e një pendese kolektive duke vendosur të paktën moralisht drejtësinë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit