Këlliçi: Pagesat për udhëtimet dhe pushimet luksoze të qeveritarëve

Mos i humb

Fakte të reja dolën në dritë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston.

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, ka zbuluar kontratën mes kompanisë së inceneratorëve dhe agjencisë turistike “One Explorer”.

Ai denoncoi se kompania e inceneratorëve i ka paguar 1.6 milionë euro agjencisë turistike “One Explorer”.

Po ashtu Këlliçi ngriti pikëpyetjet se për çfarë kanë shërbyer këto pagesa, duke hedhur dyshime të forta se mund të kenë mbuluar udhëtimet dhe pushimet luksoze për qeveritarët, mund të jenë përdorur për udhëtimet me charter-ë të drejtorëve të Bashkisë Tiranë, ose për për të zhdukur milionat e eurove të vjedhura nga buxheti i shtetit.

“2 kompani që do të duhej të shpenzonin paratë për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës dhe përpunimin dhe djegien e mbetjeve në landfill, i kanë paguar një agjencie turistike rreth 1.6 milionë euro.

Pyetjet që me të drejtë lindin janë:

A kanë shërbyer këto pagesa për të mbuluar udhëtimet dhe pushimet luksoze të zyrtarëve e qeveritarëve shqiptarë?

A janë këto pagesa që kanë mbuluar udhëtimet me charter-ë të drejtorëve të Bashkisë Tiranë?

A janë këto pagesa qoka për ndonjë qeveritar të lidhur me këtë aferë dhe ende të pahetuar?

A mos janë këto pagesa një formë për të zhdukur milionat e eurove të vjedhura nga buxheti i shtetit, ose thënë thjesht, paratë e shqiptarëve?”, tha Këlliçi.

Më tej ai paralajmëroi se në vijim do të zbulojë të tjera fakte dhe do të bëhen publike të tjera kompani dhe përfitues nga afera e shekullit.

Këlliçi nënvizoi se do të publikohet edhe skema e plotë e kompanive “OFFSHORE” që janë përdorur për të zhdukur paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Javët në vijim do të bëjmë publike kompani dhe përfitues të tjerë nga afera e shekullit.

Do të bëjmë gjithashtu publike vjedhjen dhe abuzimin me pronën mbi të cilën duhej të ndërtohej inceneratori i Tiranës.

Por mbi të gjitha do të bëjmë publike skemën e plotë të kompanive ‘OFFSHORE’ që janë përdorur për të zhdukur paratë e taksapaguesve shqiptarë”, paralajmëroi ai.

Këlliçi theksoi se ndërsa SPAK-u vijon gjumin letargjik, nuk do të ndalen së mbrojturi interesin publik.

“Deri atëherë jam i bindur se SPAK-u do të vijojë gjumin letargjik dhe drejtësinë me regji. Por ne nuk do të ndalemi. Nuk do të ndalemi në mbrojtje të interesit publik dhe llogaridhënies para qytetarëve.

Shqipëria duhet një orë e më parë të çlirohet nga banda që ka kapur prej fyti qeverinë dhe të ardhmen e shqiptarëve”, përfundoi Këlliçi deklaratën për mediat.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit