Partitë e koalicionit të qeverisë holandeze kanë shmangur një ndarje dhe kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre mbi komentet e dyshuara raciste të bëra nga ministrat e qeverisë.
Pas disa orësh bisedimesh për krizën në Hagë, kryeministri Dick Schoof tha dje vonë se koalicioni synonte të vazhdonte qeverisjen së bashku.
“Nuk ka pasur dhe nuk ka racizëm në qeveri”, tha ai.
Pasiguria politike u shkaktua nga dorëheqja e sekretares holandeze të Shtetit, Nora Achahbar më herët të premten.
Dorëheqja e Achahbar ishte në shenjë proteste kundër raporteve se ministrat e qeverisë kishin akuzuar emigrantët myslimanë për antisemitizëm dhe i kishin shpallur ata përgjegjës për sulmet ndaj tifozëve izraelitë të futbollit në kryeqytetin holandez Amsterdam javën e kaluar, raportuan mediat holandeze.
Achahbar, i cili ka lindur në Marok, është anëtare e partisë ”Kontrata e Re Sociale” (NSC) dhe ishte sekretare e Shtetit për përfitimet dhe doganat në Ministrinë e Financave.
Ministrat e mbetur të partisë vendosën të qëndrojnë në qeveri. Nëse partia do të tërhiqej nga koalicioni, qeveria do të humbiste shumicën në parlament.
Koalicioni përfshin edhe partinë e ekstremit të djathtë të udhëhequr nga populisti Geert Wilders.
Qeveria e krahut të djathtë njoftoi masa të ashpra kundër antisemitizmit pas sulmeve të synuara ndaj tifozëve izraelitë të futbollit në kryeqytetin holandez Amsterdam javën e kaluar.
Wilders gjithashtu bëri thirrje që autorët të dëbohen.
Schoof, ndërkohë, tha se integrimi i marokenëve holandezë kishte dështuar.
Sipas policisë holandeze, edhe tifozët izraelitë kanë kryer akte dhune dhe kanë fyer palestinezët me slogane raciste në periferi të ndeshjes së futbollit mes ekipit izraelit ”Maccabi” Tel Aviv dhe ”Ajax” të Amsterdamit.


