Konjufca shkatërroi strehën e “klanit Pronto” në diplomaci

Mos i humb

Në fillim të javës që e lamë pas, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka tërhequr shtatë ambasador nga shërbimi diplomatik nëpër botë, pasi që e kanë përfunduar mandatin e tyre katër vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës.

Konjufca ka propozuar që të tërhiqen nga misioni ambasadorët politikë si, Vlora Çitaku,  Edon Cana,  Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdie etj.

Ky vendim i Konjufcës është mirëpritur, ndërkaq është sugjeruar nga njohësit e çështjeve diplomatike që ai të vazhdojnë me vendime të tilla.

Kjo pasi që në vend të diplomatëve të cilët janë emëruar në bazë të politikes, duhet të zëvendësohen me diplomatë të karrierës.

Blakaj: Duhet ristrukturuar diplomacia e Kosovës

Image
Sami Blakaj

Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se  me tërheqjen e shtatë ambasadorëve nga postet diplomatike mbrohen dy norma juridike jashtëzakonisht të rëndësishme në fushën e diplomacisë.

“Vendimi i Ministrit Konjufca për tërheqjen e shtatë ambasadorëve nga postet diplomatike mendoj se parimisht mbron dy norma juridike jashtëzakonisht të rëndësishme në fushën e diplomacisë kosovare.

E para ka të bëjë me mandatin e Ambasadorëve politikë, ndërsa e dyta me uljen e numrit të të emëruarve politikë në kuadër të stafit diplomatik”.

Për më tepër, është shprehur se MPJ asnjëherë nuk ka arritur të ruaj ekuilibrin në mes të ambasadorëve politikë dhe atyre të karrierës.

“Ligji për Shërbimin e Jashtëm Diplomatik parasheh qartë se mandati i Ambasadorit politik është mandat një vjeçarë dhe në të njëjtën kohë ky ligj përcakton kuotën ligjore prej 50% të të emëruarve politikë. Fatkeqësisht si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin nuk është marrë në konsideratë përcaktimi ligjor dhe se MPJ asnjëherë nuk arriti të ruaj ekuilibrin në mes të ambasadorëve politikë dhe atyre të karrierës. Kjo ka bërë që imazhi i Kosovës në përfaqësimin e politikës së jashtme të mos jetë assesi në nivelin e kërkuar”, ka potencuar Blakaj për “Bota sot”.

Gjithashtu, ka shtuar se diplomacia e Kosovës ka nevojë për një diplomaci të ristrukturuar dhe të emëruar nga detyra e Shërbimit të Jashtëm.

“Mendoj se diplomacia kosovare më shumë se kurrë ka nevojë për një diplomaci të ristrukturuar dhe të emëruar nga detyra e Shërbimit të Jashtëm, e cila përtej politikës ditore është e gatshme t‘a avancojë Kosovën në rrugën e shtetndërtimit kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Voca: Shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë

Image
Mirsad Voca

Ndërkaq, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ambasadorët të cilët e kanë përfunduar mandatin e tyre duhet të kthehen, pasi që ka nga ata të cilët i kanë bërë pothuajse dy mandate.

“Ambasadorët e emëruar politikisht që kanë kryer një mandat duhet natyrisht të kthehen sidomos disa prej tyre që kanë bërë pothuaj dy mandate e të cilët deklarohen në formë jokorrekte diplomatike sikur u është bërë ndonjë padrejtësi kur u kërkohet tërheqja. Ambasadorë të tillë kanë bërë fare pak apo asgjë ani pse ndonjëherë shfaqeshin verbalisht atraktiv mirëpo të qenurit vetëm atraktiv nuk e bën një ambasador diplomat”

Po ashtu, ai theksuar se shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë

“Aq më tepër kur shumica e këtyre ambasadorëve si dhe diplomatëve tjerë, nuk është e karrierës, ka fare pak njohuri për profesionin e diplomatit, ka kulturë gjeneralë mediokre si dhe ka qenë punësuar e nominuar në forma nepotizmi nga grupe interesi dhe « shkel e shko ». Nuk besoj se ndonjëri prej tyre ka specializuar në diplomaci ani pse ka ndonjë njohuri në zanatin e diplomatit. Shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë e disa prej tyre edhe janë përpjekur të arnohen duke filluar të lexojnë ndonjë libër ikonë nga marrëdhëniet ndërkombëtare duke pretenduar më pastaj se zotërojnë profesionin e diplomatit”.

Voca ka këshilluar që ministri Konjufca të ri-organizoj këtë shërbim në forma tjera përmes vlerësimit të punës së diplomatit dhe të angazhoj figura të specializuara nga fusha e diplomacisë

“Ministri i punëve të jashtme Z. Konjufca, jo vetëm që duhet të tërheq diplomatët të tillë nga shërbimi diplomatik por të ri-organizoj këtë shërbim në forma tjera përmes vlerësimit të punës së diplomatit dhe të angazhoj figura të specializuara nga fusha e diplomacisë. Për më tepër, duhet të krijoj parime tjera dhe të filloj të formoj diplomatë të rinj dhe të karrierës sepse vetëm në këtë formë mund të krijojmë një kulturë të sistemuar diplomatike”.

Bytyçi: Diplomatët që kanë ardhur nga politika duhej të jepnin vetë dorëheqje

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Kurse, Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi  ka thënë se  kupton shqetësimin e ministrit se Vlora Çitaku, duke qenë një ambasadore që vjen nga politika, mund t’i shërbejë pa kriter politikës, pra presidentit Thaçi.

“Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Konjufca, ka tërhequr ose ka larguar shtatë ambasadorë nga detyra. Midis tyre dhe Vlora Çitakun, e cila ka dritëhijet e veta në marrëdhëniet me Thaçin, por duhet thënë se nga pikëpamja formale e ka prezantuar shumë mirë Kosovën në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Nuk i njoh marrëdhëniet informate të saj, megjithëse e kuptoj shqetësimin e ministrit se ajo, duke qenë një ambasadore që vjen nga politika, mund t’i shërbejë pa kriter politikës, pra presidentit Thaçi. Të tjerët ambasadorë nuk i njoh, nuk e di nëse kanë përfaqësuar politikën apo janë diplomatë karriere. Në parim them se diplomatët e karrierës duhet të ruhen, të mbahen, të respektohen, por edhe të këshillohen që diplomacinë ta përdorin në shërbim të vendit dhe jo në funksion të politikës ose politikanëve, qofshin këta edhe të veshur me pushtet. Diplomatët që kanë ardhur nga politika duhej të jepnin vetë dorëheqje. Më pëlqeu qëndrimi i Vlorës, e cila e pranoi vendimin e zotit Konjufca për largim nga detyra.

Ndërkaq, Bytyçi ka përmendur edhe rastet që kanë ndodhur në Shqipëri rreth propozimet që janë bërë nga Ministri i Jashtëm, por që janë refuzuar nga presidenti. 

“Ambasadorët janë nomenklaturë e presidentit dhe duke përfituar nga kjo, mundet ndonjëri ta refuzojë vendimin e ministrit të punëve të Jashtme e të qeverisë. Por kjo do të sillte çoroditje në diplomacinë e Kosovës. Edhe nëse diku ka padrejtësi, vendimi duhet zbatuar me korrektësi dhe me disiplinë. Ndryshe dëmtohen interesat e Kosovës.  Në praktikën shtetërore ministri i propozon ambasadorët, ndërsa ata i emëron presidenti. Nuk e di çfarë do të ndodhë me zëvendësuesit e këtyre ambasadorëve të larguar. A do të pranojë presidenti që t’i zëvendësojë me kandidaturat e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Nëse jo, atëherë do të duhet që Kosovën ta përfaqësojnë të ngarkuarit me punë a.d. Por ky lloj përfaqësimi i aplikuar disa herë në Shqipëri për shkak të konfliktit qeveri-president, e dëmton imazhin e Kosovës”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se Ministri i Punëve të Jashtme duhet të përcaktojë kritere të sakta të njohura edhe në praktikën e vendeve të tjera dhe mos pranojë që shërbimi diplomatik të shndërrohet në strehë e të paaftëve.

“Ndërkaq ministri, kushdo të jetë ai, nuk besoj të ketë sukses në punën e tij kur në diplomaci punojnë injorantë në këtë fushë si ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Nuk ka Kosova luksin që t’u gjejë strehë në diplomaci anëtarëve injorantë të sektit Pronto. Prandaj dua të besoj se çfarëdo vendimesh të merren nga ministri i ri i Punëve të Jashtme, ato do të jenë më të mira sesa vendimet e kaluara, të cilat i kanë përdor postet diplomatike si çoka për miq e far e fis. Këtë aspekt të çështjes duhet ta evitojë qeveria e re. Duhet të përcaktojë kritere të sakta të njohura edhe në praktikën e vendeve të tjera dhe mos pranojë që shërbimi diplomatik të shndërrohet në strehë e të paaftëve

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit